Në prag të manifestimit “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, pesë veteranë të luftës së UÇK-së, janë nisur këmbë nga sheshi i qyteti të Ferizajt, “Adem Jashari” për të arritur në Prishtinë, pastaj për të vazhduar drejt Prekazit legjendar.
Ata para nisjes, janë takuar me të parin e qytetit të Ferizajt, z. Muharem Svarqa. Me këtë rast kryetari Svarqa, u ka dëshiruar rrugë të mbarë drejt Prekazit, duke theksuar se ky është një gjest tejet i rëndësishëm për të nderuar të rënët, në këtë rast familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Nga ana tjetër prijësi i këtyre veteranëve Ismajl Selmani, ka thënë se takimi me kryetarin e Ferizajt, Muharem Svarqa, ishte një frymëzim më shumë për të vazhduar rrugën për në Prekaz.
Këta veteranë janë nisur këmbë nga Ferizaj me moton ”Nën emblemën e lirisë, një hap drejt Prishtinës dhe Prekazit”.
Ata do të bëjnë një ecje në këmbë për katër ditë radhazi me 4, 5,6 dhe 7 Mars. Këmbësorët janë të veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këta këmbësorë janë: Ismajl Selmani-Mala ish ushtarë i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Muhamet Kuka-Amerikani-UÇK-atlantiku, Enver Zenei-Vetëtima ish i burgosur politik, Arben Gashi-Vogëlushi-UÇK-UÇPMB, si dhe Valon Ramadani-Qeli –UÇPMB.
Veteranët do të priten edhe nga drejtues tjerë të lartë të shtetit, ndërsa pas festës, vizita e tyre do të vazhdoj drejt qytetit të Klinës, për të vizituar edhe trimin e posa lindur të pagëzuar me emrin historik UÇK.
Veteranët e UÇK-së, nga qyteti i Ferizajt, nisen këmbë drejt Prishtinës dhe Prekazit.