Në hapjen e këtij manifestimi kryetari i komunës së Ferizajt, Muharem Svarqa, është shprehur se sa herë vjen vjen 7 marsi, na jep rastin të kujtojmë sërish e sërish, sakrificën e pandërprerë që kanë bërë ndër shekuj mendjet e ndritura të kombit tonë, për të vënë themelet e së ardhmes mbi shtyllat e dijes, si shtylla më të sigurta në rrugëtimin e popullit nëpër histori.
“ Vepra iluminste e atdhetare e atyre burrave e grave, që e kuptuan se nuk ka zhvillim, përparim as dinjitet individual e kolektiv pa arsimim, vazhdon e do të vazhdojë të ndriçojë si pishtar udhërrëfyes përjetë, duke marrë parasysh dimensionin dhe përmasat që ka e do të ketë arsimimi dhe edukimi sot e gjithë jetën. Kujtimi për fljimin dhe përpjekjet e pareshtura për liri e dije të shumë figurave e brezave, nuk është veç vlerësim i përkushtimit, mundit e sakrificave, me të cilat është e mbushur tej e tej historia jonë e re, por është edhe reflektim për të sotmen e për të ardhmën. Një sërë pyetjesh, në formë sfidash, shtrohen në kohën tonë, përgjigjja ndaj të cilave nuk është aspak e lehtë.
A është sot, brezi ynë, në nivelin e lartë të detyrës, për të investuar mundin, djersën e përkushtimin në njërën nga shtyllat më të forta të një kombi, arsimin dhe edukimin cilësor të tij? A është sot, bresi i arsimtarëve, i gatshëm për të orientuar e mbështetur fëmijët dhe të rinjtë, që të mos hutohen e të humbin në pyllin e dendur që ofrojnë qindra e mijëra burime informacioni, shumica me synime komerciale?A e kemi bërë ne shkollën sot një vend të dashur, ku fëmijët e të rinjtë shkojnë për t’u përgatitur për jetë të suksesshme, apo një vend të mërzitshëm, ku duhet shkuar domosdo, sa për të kaluar kohën?A e kemi bërë sot shkollën një vend ku mbisundon atmosfera garuese për punë e dije, apo një vend ku mësimdhënësit shkojnë për të arsyetuar pagën, nxënësit për të kaluar një pjesë të ditës?A kemi krijuar në shkollat tona sistem vlerash, ku nxënësi dhe mësimdhënësi i suksesshëm nderohen dhe shërbejnë si shembuj, apo shumica tallen me ta?A po vazhdon trendi, sipas të cilit, të mos punosh punën për të cilën paguhesh dhe të mos mësosh atë që je i obliguar, të konsiderohet si vlerë, ndërsa puna, përkushtimi e zelli, të konsiderohen demode?Këto janë vetëm disa nga pikëpyetjet, në të cilat brezi ynë duhet të përgjigjet. Dhe jo vetëm të përgjigjet si konstatim për gjendjen. Por të nis urgjentisht përpjekjet që të ndërpresë trendet e tilla, aty ku janë, për ta shndërruar shkollën në vend ku, veç dijeve të përgjithshme, të rinjtë tanë mësojnë një zanat, përgatiten për një profesion, duke u bërë kështu konkurrentë në tregun e punës, të tillë çfarë e kemi, si dhe synues për të pasur një jetë më të mirë. Një i ri i shkolluar dhe i edukuar mirë, më pak do të synojë të largohet e të marrë botën në sy, më pak do të jetë barrë e të tjerëve dhe e shoqërisë. Një i ri që ka me vete një profesion të mësuar mirë, do të vuajë më pak për një vend pune”, është shprehur kryetari i Ferizajt, Muharem Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharem Svarqa, ka thënë se është detyrim që të bëhet avancimi i shkollave tona, por për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë.
“Pushteti lokal i Ferizajt synon të ngrisë përpjekjet për të ndryshuar shumëçka në shkollat e komunës. Në radhë të parë, të ngrisë cilësinë e punës e të mësimit, të zvogëlojë numrin e orëve të humbura, të dallojë punëtorin nga papunëtori, të dallojë të zellshmin nga i pazellshmi, të shpërblejë më të mirët sa herë që të jetë e mundur, të shtojë kontrollin ndaj shkeljeve të detyrave të punës dhe të ofrojë mbështetje për të gjitha nismat që kanë për qëllim çuarjen përpara të cilësisë së punës. Ta shndërrojmë shkollën në një vatër të vërtetë diturie, në një mjedis të këndshëm, ku nxënësit ndihen mirë, çmojnë e mbështesin përpjekjet për cilësi, ku nderohen veçanërisht nxënësit dhe mësimdhënësit që shkëlqejnë, këtë e kemi detyrim, sepse për këtë paguhemi. Veç kësaj, e kemi detyrim edhe ndaj shembëlltyrës së të gjithë atyre iluministëve, arsimtarëve e atdhetarëve të kombit tonë, të cilët nuk kursyen as djersën, as pasurinë, madje as jetën, për të vënë themelet e shëndosha të arsimit e të edukimit. Sot, ndërkaq, falë flijimeve që kanë bërë bijtë e bijat e këtij populli, e kemi shumë më lehtë. Na duhet veç pak vullnet, këmbëngulje, zell, mund e djersë, për të arritur aty ku dëshirojmë. Sepse nuk ka rrugëtim drejt Evropës së bashkuar, pa breza cilësorisht të arsimuar. Nuk ka as mirëqenie kolektive as individuale pa shkollim të mirë. Lavdi atyre që, duke u flijuar në themelet e lirisë e të arsimimit, na mundësuan që sot të shkollohemi të lirë. Le t’u shprehim, me këtë rast edhe një herë mirënjohjen e thellë mësuesve që vunë themelet e arsimit shqip në komunën e Ferizajt: Shaban Vatës, Vezire Xhurakut, Munish Ramadanit, Avdullah Laçit, Abdurrahman Pallushin e të tjerëve! Qofshim ne, brezi i sotëm, në nivel të detyrës, për të nderuar sakrificën e së kaluar dhe për të ndërtuar perspektivën e një shkolle të përparuar, në përputhje me kërkesat e kohës!”, ka thënë kryetari Svarqa.
Në këtë manifestim të pranishmit i ka përshëndetur edhe drejtori i drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili.Ai ka theksuar angazhimin e drejtorisë së Arsimit, duke krijuar edhe hapësira të mjaftueshme për nxënësit ferizajas.
“Një rëndesi të veçantë drejtoria jonë i ka kushtuar edhe bashkëpunimit me organizata të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi ne ketë vit do të bëhet renovimi i shkollave, “Faik Konica”, “Pjetër Bogdani”, “Dëshmorët e Koshares”, “Visar Dodani” si dhe ndërtimi i çerdhes ‘Ardhmëria jonë”, ka thënë drejtori Halili.
Po në këtë manifestim u bë edhe promovimi i librit “Udha e dhembjes” e autorit Hajrush Idrizi.
Për të pranishmit, është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artisitik.
Këtë të premte me një manifestim është shënuar 7 mari-Dita e mësuesit.