Drejtues të Drejtorisë për Infrastrukturë kanë thënë se janë 50 projekte infrastrukturore që gjatë këtij viti do t’i realizojë vetëm kjo drejtori, prej të cilave projekte 15 janë të vitit të kaluar, projekte dyvjeçare apo edhe disa të bartura nga viti i kaluar.
Drejtori i Infrastrukturës, Gafurr Ilazi ka thënë se ka shumë projekte infrastrukturore që do të realizohen këtë vit në disa zona të qytetit dhe në zona rurale.
"Prej projekteve më të mëdha kapitale janë vazhdimi i punimeve në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ për të cilin projekt janë ndarë 1.1 milion euro si dhe projekti i rregullimit të bulevardit të qytetit, për të cilin janë ndarë 640 mijë euro" ka thënë Ilazi. Ndër projektet tjera madhore drejtori Ilazi ka folur për projektin e kanalizimit dhe riasfaltimin e rrugës "Astrit Bytyçi" dhe për shumë projekte tjera të kësaj natyre.
Edhe këtë vit, sikundër edhe viteve tjera, Komuna e Ferizajt do të realizojë projekte të bashkëfinancuara me donatorë. Zyrtarë të kësaj drejtori kanë vënë në dukje projektet e kanalizimit dhe ujësjellësit në grupe fshatrash, për të cilat CDI-ja zvicerane e mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicres, ka shfaqur interesimin. Sipas tij, është fjala për projektet e ujwsjellsit në Greme e Rakaj, pastaj Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxhirëve, Sazli, Papaz, të cilat projekte pritet të përfundojnë në qershor të këtij viti. Drejtori Ilazi ka theksuar se ka shumë kërkesa nga ana e qytetarëve për projekte të ujësjellësve apo për kanalizim, shtruarje rrugësh e të ngjashme.
"Kërkesat më imediate të qytetarëve vazhdojnë të jenë ato që lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm dhe kërkesat vijnë nga ato mjedise ku nuk është shtrirë rrjeti i ujësjellësit, siç janë Sojeva, Bibajt, Dardania e Zllatari. CDI-ja është fituese edhe e fazës së pestë për investime dhe i mbetet komunës që të konkurrojë për këto projekte, për fshatrat që nuk kanë rrjet ujësjellësi", ka theksuar Ilazi, duke shpresuar se me këtë projekt do t’i jepet fund problemeve të furnizimit të qytetarëve më ujë të pijshëm.
Komuna e Ferizajt gjatë këtij viti planifikon të realizoj një numër të madh projektesh infrastrukturore vlera e të cilave pritet të arrin shumën e mbi 6.5 milion eurove.