Kryetari i Ferizajt Muharem Svarqa, falenderoi mysafirin e lartë nga Malta për interesimin e shfaqur rreth gjendjes së shëndetësisë sekondare të Ferizajt. Ai tha se ndërtesa aktuale e spitalit, është një hapësirë që nuk i plotëson as përafërsisht kushtet e një spitali bashkëkohor, ndërsa Komuna e Ferizajt tashmë ka përgatitur projektin për ndërtimin e spitalit të ri.
“Ne e kemi obligim që qytetarëve të Ferizajt t’u ofrojmë kushte shumë më të mira trajtimi e kurimi, prandaj po bëjmë përpjekje maksimale për ta arritur këtë synim. Në këtë aspekt çmojmë të gjitha kontributet e donatorëve të mundshëm, përfshirë edhe nga shteti i Maltës. Është urgjente të investohet në këtë degë të rëndësishme të shoqërisë, sepse në Ferizaj ka një shkallë në rritje të mortalitetit dhe që është detyrë dhe obligim i gjithë neve që të kordinojmë aktivitete e përbashkëta për t’iu gjendur në ndihmë njerëzve tanë. Unë me këtë rast falënderoj mysafirin e lartë për gadishmërin, për ndihma konkrete në sferën e shëndetësisë dhe fillimin e një bashkëpunimi që do ta zhvillojmë në të ardhmen duke shfrytëzuar përvojat e Maltës dhe Italisë, për shërimin e sëmundjeve të ndryshme të cilat janë të shumta në komunën tonë" theksoi Svarqa.
Ky delegacion i Maltës i kryesuar nga prof.dr.Giuseppe Aladia, ministër i Urdhërit të Kavalierëve të Maltës, gjatë vizitës së i bënë Spitalit Rajonal të Ferizajt, ka premtuar ndihmën e shtetit të tij në plotësimin e nevojave që ka ky institucion shëndetësor. Ai ka thënë me këtë rast se këtu ka gjetur një spital që nuk përputhet me nevojat dhe standardet e BE-së, por ka përshëndetur personelin e Spitalit për punën që po e bën në këto kushte të vështira.
"Ne si urdhër mund të ju ndihmojmë me paisje të cilat mund t’ia dhurojmë spitalit, të krijojmë marrëdhënie ndërkulturore dhe shkëmbimin e përvojave në lëmin e mjekësisë, në mënyrë që ti japim një funksionalitet më të lartë. Sot do ta takohem edhe me ministrin Agani, që të kuptoj më shumë për politikën shëndetësore të Qeverisë dhe nëse jemi të dobishëm në sugjerime apo në ndihmë të ndryshme atëherë këtë edhe do ta bëjmë" ka thënë ministri Aladia.
Duke ju përgjigjur interesimit të gazetareve se pëse ka zgjedhur Ferizajn, ministri Aladia, ka thënë se ky është Spitali i dytë që po e viziton pas Prizrenit, i cili është në kushte më të mira se ky këtu.
"Aty mungonin disa paisje, këtu mungon struktura, nuk është e përshtatshme. Gjithashtu mungojnë edhe paisjet" ka thënë Aladia, i cili thotë se krejt varet nga politikat shëndetësore. "Ne jemi të gatshëm, do japim gjithë ndihmën që kemi, sepse ndihmesa është në ADN e kavalierëve të Maltës" ka shtuar ministri Giuseppe Aladia.
Drejtori i Spitalit të Ferizajt,Gëzim Bajrami, ka thënë se Spitali ka projekte të ndryshme, të cilat tashmë i janë dorëzuar komunës dhe MSH-së. Ai ka vënë theksin te nevojat që ka Ferizaj për një Spital të ri, i cili do ti plotësonte nevojat për qytetarët
"Ne kemi nevojë për spital. Nuk na hynë në punë një aparat apo dy .Esenca e gjithë kësaj është ta nisim një themel të ri të Spitalit, në bazë të standardeve evropiane" ka thënë drejtori Bajrami.
Ndryshe, gjatë kësaj vizite, delegacioni maltez ka bërë të ditur se krejt ajo që ofrojnë është ndihma në paisje, në përgatitjen e stafit mjekësor si dhe në ndihmesat me kuadro mjekësore nga Malta.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharem Svarqa së bashku me drejtorin e Spitalit Rajonal të Ferizajt, dr. Gëzim Bajramin këtë të premte kanë pritur një delegacion nga qyteti i Maltës.