Zyra e kryetarit të Komunës së Ferizajt, bën të ditur se sot kryetari Muharem Svarqa, ka emëruar përkohësisht zyrtar përgjegjës të zyrës komunale të prokurimit znj. Hanife Obrazhda-Selimin, inxhiniere e ndërtimtarisë, me përvojë 9-vjeçare në zyrën komunale të prokurimit, e cila posedon certifikatën e avancuar për prokurim publik dhe disa certifikata bazike për vitet fiskale paraprake.
Në të njëjtën kohë kryetari Svarqa ka vendosur hapjen e konkursitpër caktimin afatgjatë të zyrtarit përgjegjës të kësaj zyreje. Emërimi u bë pasi zyrtari përgjegjës i deritashëm i prokurimit, z. Ilir Beqiri, i cili u angazhua për dy javë në këtë detyrë, nuk konsiderohej plotësisht kompetent, por u gjet si zgjidhja më e mirë për këtë afat të shkurtër.
Kryetari i Ferizajt falënderon opinionin publik, mediat e shoqërinë civile, që kanë qenë kritike e janë interesuar në vazhdimësi për respektimin e ligjit, si dhe shpreh përkushtimin e vendosur që zyra e prokurimit të jetë pandërprerë në fokus të mbikëqyrjes, për të siguruar menaxhim korrekt e transparent të parasë publike.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharem Svarqa, ka emëruar përkohësisht zyrtar përgjegjës të zyrës komunale të prokurimit znj. Hanife Obrazhda-Selimin.