Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me brengosje e keqardhje të thellë ka marrë lajme ditëve të fundit, sipas të cilave së paku dy ferizajas janë vrarë në konflikte të armatosura në Siri dhe në Irak.
Duke ndjekur zhvillimet politike dhe sidomos trendet e shkuarjes së të rinjve kosovarë e ferizajas për të luftuar në vendet e Lindjes së Mesme, kryetari Svarqa u bashkohet zërave tashmë të artikuluar qartë të institucioneve qeveritare të Kosovës, të përfaqësive diplomatike dhe të institucioneve fetare, se kosovarët nuk do të duhej të merrnin pjesë në konfliktet e asnjë lloji, që po zhvillohen aktualisht në Lindjen e Mesme, duke marrë parasysh se ato më shumë u ngjajnë konflikteve të brendshme për pushtet nga grupime të ndryshme të interesit, se sa që janë përpjekje për sendërtimin e idealeve demokratike. Aq më tepër që një pjesëmarrje e tillë tashmë po sanksionohet me ligj.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, konsideron se rinia ferizajase duhet të jetë e përkushtuar për ndërtimin e mirëqenies, të kapaciteteve demokratike dhe rrjedhave shoqërore, që sigurojnë paqe, qetësi, mundësi për punë dhe për ndërtimin e vendit tonë. Vendi ynë i dalë nga lufta, në një gjendje jo shumë të mirë ekonomike e shoqërore, ka shumë nevojë për ndihmën, nismat dhe aktivitetet e të rinjve, për të ndërmarrë veprime që do të ndihmonin mobilizimin e popullatës për të mbështetur njerëzit në nevojë, që do të ngrisnin dhe përgatisnin për zgjidhje çështje që kanë të bëjnë me ngritjen ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore e sportive në vendin tonë. Në kohë paqeje, puna e përkushtuar profesionale në të gjithë lëmenjtë, është atdhetari. T’i shërbesh atdheut, qytetarëve e bashkëvendësve të tu me dije e profesionalizëm të lartë, konsideroj se është punë shumë më e çmueshme se sa të derdhësh gjakun e djersën në vendet e Lindjes së Mesme, për llogari të grupimeve që po zhvillojnë luftë të ashpër për pushtet.
Kryetari i Komunsë së Ferizajt u bën thirrje ferizajasve që të mos mbështesin shkuarjen e të rinjve për të luftuar në këto vende, ndërsa atyre që tashmë kanë shkuar, u bën thirrje që të kthehen sa më parë.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me brengosje e keqardhje të thellë ka marrë lajme ditëve të fundit, sipas të cilave së paku dy ferizajas janë vrarë në konflikte të armatosura në Siri dhe në Irak.