Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, shpreh keqardhje të thellë për mospjesëmarrjen e shoqatave lokale të dala nga lufta e UÇK-së në akademinë solemne, të organizuar për nder të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Ferizajt.
Z. Svarqa dëshiron të sqarojë opinionin se mospjesëmarrja e shoqatave lokale të dala nga lufta, nuk mund të arsyetohet me ndryshimet që u bënë një ditë më parë në orarin e ngjarjeve dhe manifestimeve për këtë ditë, pasi ndryshimet u bënë për të krijuar mundësi që pjesëmarrësit e manifestimeve të mund të merrnin pjesë edhe në zbulimin e lapidarit të dëshmorit Agim Matoshi, një ceremoni kjo e paharmonizuar me axhendën e hartuar më parë nga Komuna. Nga ana tjetër, qytetarët, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe të gjithë të ftuarit, u njoftuan një ditë më parë me ndryshimin e axhendës së manifestimeve për Ditën e Çlirimit
Kryetari Svarqa beson se mospjesëmarrja e shoqatave të luftës së UÇK-së në akademinë solemne të Ditës së Çlirimit të Ferizajt, mund të ketë pasur çfarëdo motivi tjetër, por jo mosinformimin, ndërsa ndryshimi i axhendës është shfrytëzuar vetëm si shkas. Duke shprehur edhe një herë keqardhje të thellë për këtë zhvillim të pakëndshëm, z. Svarqa vazhdon të jetë i hapur për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha organizatat e Ferizajt e më gjerë, përfshirë edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në të mirën e përgjithshme.
Muharrem Svarqa
Kryetar i Ferizajt
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, shpreh keqardhje të thellë për mospjesëmarrjen e shoqatave lokale të dala nga lufta e UÇK-së në akademinë solemne, të organizuar për nder të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Ferizajt.