Në Ditën e Çlirimit të Ferizajt me një ceremoni u shpalos shtatorja e dëshmorit Agim Matoshi në rrugën "Enver Topalli". Me këtë rast bashkëluftëtarët dhe përfaqësues institucionalë thanë se kontributi i të gjithë dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë mbetet i çmueshëm përgjithmonë . U theksua se dëshmori Agim Matoshi është një emër i lavdishëm në historinë më të re të Kosovës.
Këtë manifestim e ka përshëndetur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Nazmi Krasniqi, ndërkaq në emër të bashkëluftarëve të dëshmorit ka folur Hajdin Abazi.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se prej sot, pamja e dëshmorit Agim Matoshi, do të jetë më e pranishme në mendjet dhe në përfytyrimet e ferizajasve, e jo vetëm të tyre.
“Prej sot, prania e Agim Matoshit në kujtesën tonë kolektive dhe individuale, do të marrë dimension të ri. Pamja e tij e derdhur në bronz, do të na trokasë më shpesh në ndërgjegjen tonë, për të reflektuar mbi përmasat e flijimeve e përpjekjeve që janë bërë, në mënyrë që ne sot të mund ta kremtojmë lirshëm 12 Qershorin, të punojmë e të mësojmë të lirë, të bëjmë e të realizojmë plane ndërtimi e zhvillimi, dhe, më në fund, të mund të jetojmë me dinjitet nga puna e djersa jonë.Prej sot, pamja e dëshmorit Agim Matoshi, do t’i përshëndesë kalimtarët e kësaj rruge, duke ua kujtuar një kohë jo shumë të largët, kur jeta jonë ishte bërë e pavlerë, për shkak të shtypjes, tiranisë, torturës e vrasjeve, për fajin e vetëm se kishim lindur shqiptarë”, ka thënë Svarqa, ndërsa ka theksuar se pamja e dëshmorit Agim Matoshi, do të na rikujtojë atë lumë flijimesh që ky vend i bëri gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për të arritur një ditë si kjo e sotmja, që ta kemi në dorë e ta farkëtojmë fatin tonë ashtu siç e duam e siç mundemi.
“Lapidari i Agim Matoshit dhe lapidarët, bustet e përmendoret e dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve të tjerë, i kemi ndërtuar e po i ndërtojmë, për të nderuar e për të përjetësuar ndër shekuj vlerën tonë më të lartë: luftën dhe fljimin e pakursyer për liri, pavarësi, të drejta kombëtare e njerëzore; për t’ua kujtuar brezave të tashëm e të ardhshëm se pa liri, nuk vlen as pasuria, as dija, as ëndrrat, madje as jeta.Lapidari i Agim Matoshit dhe lapidarët, bustet e përmendoret e dëshmorëve, martirëve dhe atdhetarëve, në fund të fundit, do të trokasin përjetësisht në ndërgjegjen tonë, për të na përmendur e për të na kujtuar se rrugëtimi ynë jetësor në liri e pavarësi, është shumë më i lehtë, se sa rrugëtimi jetësor i tyre drejt sakrificës sublime”, është shprehur Svarqa.
Kryetari Svarqa, po ashtu ka thënë se detyrimet që kemi marr përsipër, për të nderuar e për ta çuar në vend gjakimin e heronjve, dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve, na nxjerrin përpara vetëm një rrugë: rrugën e punës, angazhimit e përkushtimit me sinqeritet e devotshmëri, për ta ndërtuar të sotmen e të ardhmen më të begatshme, për ta vendosur shtetin tonë të ri e të brishtë në themele sa më të shëndosha, për ta bërë jetesën e qytetarëve tanë sa më të lehtë dhe për të ofruar sa më shumë mundësi krijuese për të gjithë.
Në emër të familjes së dëshmorit Agim Matoshi të pranishmit i ka përshëndetur Sebahate Murseli.
Dëshmori Agim Matoshi ra në altarin e lirës në tetor të vitit 1999 në fshatin Doganaj të komunës së Kaçanikut.
Në këtë manifestim morën pjesë struktura udhëheqëse si nga pushteti lokal, familjarë të dëshmorit, drejtues të partive politike si dhe qytetarë të shumtë.