Paraqitjen fillestare të përmbajtjes së kornizës e bënë kryesuesi i KK-së, Milazim Haliti, drejtori i infrastrukturës Gafurr Ilazi dhe drejtoresha e financave Lirije Syla. Ata thanë se korniza buxhetore afatmesme është planifikim i zhvillimit të infrastrukturës, ekonomisë, mirëqenies, çështjeve sociale, kulturës, sportit dhe çështjeve të tjera, në pajtim me mundësitë financiare, të cilat gjatë tri viteve të ardhme pritet të kenë rritje të vazhdueshme, por jo aq sa do të dëshironim.
Në analizat, diskutimet, pyetjet dhe angazhimet e anëtarëve të kuvendit, pati qasje të ndryshme, varësisht nga pozitat politike që përfaqësonin. Ndarja e buxhetit sipas numrit të banorëve të komunave, rritja e numrit të investimeve në infrastrukturë në qytet e në fshatra, u shtrua nga Muhamet Çerkini i LDK-së. Faruk Guri, po nga kjo parti, kërkoi rishikimin e projekteve që kanë të bëjnë me ndërtimin e shkollave të reja, duke marrë parasysh rënien e natalitetit, si dhe të mundësohet që nxënësit të mos i mbajnë të gjitha librat shkollorë me vete. Ramadan Baliu i LDK-së vuri në dukje se korniza nuk precizon invetimet dhe afatet e ndërtimit me katër korsi të rrugës së Reçakut, ashtu si nuk e saktëson se në cilin Prelez do të ndërtohet një qendër mjekësore.
Nga ana tjetër, kuvendarë të PDK-së thanë se korniza afatmesme buxhetore që është shtruar për diskutim, nuk paraqet ndonjë vizion të pushtetit aktual, pasi ajo është kopje e kornizës që e ka bërë pushteti i mëparshëm. Mustafë Grainca i kësaj partie, u shpreh se kjo kornizë do të duhej të mbështetej në strategjinë afatmesme të zhvillimit ekonomik të Komunës së Ferizajt, të cilën pushteti aktual ende nuk e ka nxjerrë për miratim. Grainca bëri thirrje që strategijia të miratohet sa më parë. Lulzim Aliu po nga PDK tha se në kornizë nuk figurojnë projektet e premtuara nga kryetari i Komunës gjatë fushatës zgjedhore, siç janë spitali dhe kafazi i hekurudhës. Qazime Vata shtoi se as 3 mijë vendet e punës, të premtuara nga kryetari, nuk janë futur në dokumentin afatmesëm buxhetor.
Duke e përmbledhur debatin, nënkryetari i Komunës, Xhavit Zariqi, tha se korniza buxhetore është dokument që është përshtatur me mundësitë buxhetore dhe se ajo mund të ndryshojë përgjatë viteve, varësisht nga trendet e zhvillimeve dhe sipas prioriteteve që mund të ndryshojnë me kohë. Zariqi shtroi çështjen e mungesës së planifikimit për funksionalizimin e shumë projekteve infrastrukturore të përfunduara, të cilat nuk janë funksionale.
Në mbështetje të kornizës doli edhe Bashkim Fazliu nga Nisma për Ferizajn, i cli tha se kryetari i Ferizajt po e zbaton axhendën e paralajmëruar, duke hapur perspektivën e ndërtimit, bie fjala të Lagjes së Luftëtarëve, etj.
Kundër kornizës afatmesme buxhetore të Ferizajt u shpreh Sylejman Zeka i Vetëvendosjes, me arsyetimin se dokumenti nuk përmban bazën e zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, pasi investimi kryesisht në infrastrukturë, sipas tij, nuk do të thotë zhvillim dhe mirëqenie.
Edhe më i ashpër ndaj dokumentit financiar të shtruar për diskutim shpreh Qazim Rrahmani i PDAK-së, i cili tha se mungesa e investimeve të planifikuara në të mirë të komunitetit ashkanli, mosemërimi i një zëvendëskryesuesi të kuvendit nga radhët e komunitetit të tij, bën që ai të mos jetë pjesë e kësaj mbledhjeje, prandaj e braktisi atë.
Megjithë kundërshtimet, në të mirë të miratimit të kornizës afatmesme buxhetore votuan 31 kuvendarë, kurse vetëm dy votuan kundër.
Kuvendi Komunal i Ferizajt në mbledhjen e sotme votoi edhe çmimoren e shërbimeve mjekësore në qendrat e mjekësisë familiare. Diskutimi kryesor u zhvillua rreth heqjes së pagesës për kompensimin e udhëtimit të pacientëve jashtë shtetit. Të gjithë diskutuesit u angazhuan që kjo pagesë të mos figurojë në çmimore. Me këtë ndryshim, në të mirë të çmimores votuan të gjithë këshilltarët e pranishëm, pos një vote kundër.
Kuvendi gjithashtu miratoi edhe destinimin e ngastrës afër ish-tregut të kafshëve, për ndërtimin e një çerdheje për fëmijë, e cila u tha se është premtuar nga një donator i huaj.
Kuvendi Komunal i Ferizajt në mbledhjen e sotme të rregullt, miratoi me shumicë votash kornizën afatmesme buxhetore 2015-2017.