Sipas drejtoreshës së kësaj Drejtorie Mimoza Fazliut, në këto projekte është aplikuar në organizatat të ndryshme si IOM, AHRE, IPA dhe në organizata të tjera. Ajo po ashtu ka bërë të ditur se gjatë këtij gjashtëmujori ka pasur edhe kontakte të shumta me bizneset dhe investitorët të mundshëm për Komunën e Ferizajt.
“Si Drejtori jemi në pritje të përgjigjes për projekte “Zhvillimi i Turizmit në Ferizaj dhe Regjion”, ku e ka kaluar fazën e parë , “Ndërtimi i ambulantes në fshatin Zaskok”, ku kemi aplikuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, “Hartimi i Guidës Turistike për Komunën e Ferizajt”, me të cilin kemi aplikuar në Institutin Riinvest. Po ashtu përgjigje pozitive kemi marr nga programi i BE-së Kosova e Bukur II, ku kemi fituar projektin për shkollën e Mesme “ Shaban Hashani “, në vlerë prej 170,135.00 euro”, është shprehur Fazliu, duke shtuar se projekti për shkollën e mesme “Shaban Hashani”, ka të bëjë me rregullimin e oborrit, gjelbërimin, shtigjeve për ecje, terreneve sportive, rrethojës dhe ndriçimit të shkollës.
“Me ç’rast do të përfitojnë nxënësit dhe personeli arsimor. Ky projekt është duke u implementuar nga IOM , ku kemi bashkëpunuar me ta për t’u siguruar projektin ideor, projektin detal, projektin për ndriçim si dhe lejen për ndërtim. Projekti është në fazën e tenderimit, me ç’rast punimet pritet të fillojnë në muajin gusht të këtij viti. Po ashtu nga ky program jemi duke pritur përgjigjeje pozitive për projektin “Ndërtimi i rrethojës së varrezave në fshatin Dubravë”, ku ka kaluar fazën e parë”, tha Fazliu.
Sipas drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Mimoza Fazliut, shumë shpejt do të fillojë edhe implementimi i projekteve kapitale të kësaj Drejtorie. “Sa i përket projekteve kapitale të kësaj drejtorie në muajin gusht do të filloj implementimi i projektit “Hartimi i projekteve investive për investitor të brendshëm dhe të huaj”, projekti është në fazën e fundit të tenderimit. Me këtë projekt Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik do të pajiset me plane të biznesit të cilat do të u ipen bizneseve të reja falas. Kemi vizituar dhe jemi duke analizuar gjendjen e Bizneseve përfituese në Zonat Ekonomike (Babush, Prelez, Bablak, Sazli)”, ka potencuar Fazliu.
U bë e ditur se në qendrën e regjistrimit të bizneseve gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 400 biznese të reja. Në këtë konference për gazetarë është bërë i ditur edhe plani i punës së kësaj drejtori ku fokus kryesor i saj do të jenë, fuqizimi i bashkëpunimit publiko-privat, përkrahja e bizneseve përmes buxhetit të miratuar nga Kuvendi i Ferizajt, kontakti me investitorët të mundshëm, aplikimi me projekte tek donatorët e mundshëm sidomos nga BE-ja, përgatitja e guidës turistike për Ferizaj, fokusimi i turizmit malor sidomos në Jezerc si dhe bashkëpunimi me komunat tjera në fushën e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo Drejtori fokus kryesor e ka pasur aplikimin në projekte të shumta nëpër të gjitha institucionet relevante.