Ndezjen e makinerisë për shtruarjen e asfaltit e bëri i pari i Ferizajt Muharrem Svarqa, i cili me këtë rast shprehu kënaqësinë që po realizohet një projekt kaq madhor dhe i kompletuar në shërbim të qytetarëve të Ferizajt. Ai veçoi elementin e futjes së ujësjellësit nëntokësor që e ka kjo rrugë e nuk e kanë rrugët tjera të rëndësishme.
"Rruga është me një gjatësi mbi 2km, me katër korsi, të ndara në mes me gjelbërim, ndërsa gjerësia e së cilës anë është 7 m përfshirë edhe shtegun për biçikleta. Projekti i plotëson të gjitha standardet përfshirë edhe infrastrukturën nëntokësore, trotuaret dhe shtegun për këmbësor. Kjo rrugë ka një frekuentim të madh ngase përpos që lidhë vendbanimet, shfrytëzohet me të madhe nga qytetarët që e frekuentojnë parkun e qytetit" ka thënë Svarqa.
Me këtë projekt që kap një kosto prej 3.5 milion eurove po i kthehet rëndësia që ka Ferizaj, ka nënvizuar kryetari Svarqa
"Komuna e Ferizajt në këtë projekt ka participuar me 500 mijë euro, por që përfitimi është më i madh nga fakti se Ferizaj jo vetëm që lidhë dy kryeqytetet mes veti, Prishtinën me Shkupin, por është shndërruar një nyje shumë të rëndësishme për qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve" ka thënë Svarqa.
Për më tepër i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur i kënaqur edhe me ekzekutimin e punimeve nga kompania fituese "Eskavatori", duke thënë se në të gjitha fazat ka punuar me përkushtim.
Në anën tjetër, menaxheri i projekteve të MI për rajonin e Ferizajt, Avdyl Ymeri, ka thënë se ana e majtë e këtij projekti nga rreth-rrotullimi prej Qendrës së Kulturës e deri te gjysmërrethi në dalje të Ferizajt është i gatshme për asfaltim, ndërsa pjesa tjetër nga aty do të vazhdoj sipas dinamikës së paraparë.
"Gjatë këtij viti parashihet që shtresën e parë dhe të dytë të asfaltit ta vendosemi, ndërsa vitin e ardhshëm të vazhdojmë me shtresën e tretë dhe eventualisht të përmirësojmë ndonjë të metë nëse paraqitet" ka thënë Ymeri.
Rruga “Brahim Ademi” është e gjatë 2 km dhe asfaltimi i saj do të kushtojë mbi 3 milion euro ndërsa me 400 mijë euro ka kontribuar komuna e Ferizajt. Asfaltim dhe zgjerim i rrugës është duke u bërë edhe nga Shtimja në drejtim të Ferizajt deri në fshatin Koshare, por kreu komunal i Ferizajt premtoi se do të angazhohet që të rregullohet edhe pjesa e mbetur e rrugës që kalon nëpër Slivovë e Lloshkobare në mënyrë që rruga Ferizajt Shtime të jetë njëra ndër rrugët më moderne të Kosovës.
Ka filluar asfaltimi i rrugës "Brahim Ademi" në dalje të Ferizajt, prej rreth-rrotullimit në drejtim të Shtimes, projekt ky i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt, i paraparë që të realizohet në disa faza.