Për të inspektuar nga afër punimet në asfaltim, doli edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili ka thënë se pushtetit lokal çdo ditë e më shumë po mundohet që të punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe t’i bëjë ata me infrastrukturë të kompletuar.
“Është mirë që më në fund, ne po i kushtojmë vëmendje edhe rrugicave të shkurtëra të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit dhe një gjë e tillë shumë shpejt do të ndodh edhe me rrugën “Mbretëresha Teutë”, e cila po ashtu do të asfaltohet më shpejtësi, dhe natyrisht po tregojmë një përkushtim ndaj disa rrugëve të cilat kanë qenë si rrugica shumë afër qytetit, por nuk kanë qenë në vëmendjen e asnjë pushteti që nga pas lufta dhe ne natyrisht se do t’i trajtojmë të gjitha këto rrugë si prioritet”, është shprehur Svarqa.
Kreu i Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se tash e tutje qytetarët ferizajas nuk do të participojnë në projekte të tilla, sepse ata kontributin e tyre po e japin duke bërë pagesën e tatimeve të ndryshme në Komunën e Ferizajt.
“Gjatë mandatit tim, nuk do të ketë participim në asnjë projekt kapital dhe në rregullimin e infrastrukturës, sepse qytetarët e kryejnë misionin e vet ndaj pushtetit, vetëm me pagesën e tatimit në pronë dhe përmes kontributeve të tjera dhe nuk kanë nevojë që të involvohen në participime”, ka përfunduar Svarqa.
Edhe banorët e kësaj rruge e kanë mirëpritur këtë asfaltim, duke theksuar se kanë hequr të zitë e ullirit nga rruga e shkatërruar.
U bë e ditur se kjo rrugë me një gjatësi prej 100 metra dhe me gjerësi prej gjashtë metra, ka kushtuar mbi 10 mijë euro.
Këtë të shtunë është bërë asfaltimi I rrugës “Ali Kelmendi”, rrugë kjo e cila është vlerësuar si tejet e rëndësishme për banorët e kësaj pjesë të qytetit.