Zyrtarë të arsimit në Ferizaj kanë thënë se shumica e librave që në ditën e parë të fillimit të mësimit do të jenë në duar të shkollarëve, ndërsa për tekstet shkollore që do të mungojnë, do të bëhen kërkesa shtesë.
”Jemi duke i shpërndarë tekstet për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Komunën e Ferizajt. Sipas analizave që kemi bërë, na mungojnë vetëm disa tekste, por pasi të përfundoj shpërndarja e këtyre teksteve do të bëjmë kërkesë me shkrim që t’i sigurojmë edhe tekstet tjera”, ka thënë zyrtari i DKA-s, Sami Vranovci.
Mësohet se shkolla e cila ka kërkuar numrin më të madh të librave për nxënës është Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët ” Gjon Serreçi” në Ferizaj.
Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Milazim Dërguti arsye pse këtë vit janë kërkuar të gjitha tesktet shkollore të reja është se në këtë shkollë prej vitit 2009 nuk ka pasur tekste të reja shkollore, pasi janë përdorur tekste të vjetra dhe përdorimi i shumtë i tyre ka rezultuar edhe me dëmtime, sa librat janë bërë të papërdorshme.
”Nxënësit i kanë përdorur disa vite me radhë ato tekste që kanë qenë në qarkullim dhe ato gradualisht kanë filluar të amortizohen dhe si rrjedhojë e kësaj kemi pasur mungesë të teksteve shkollore. Prandaj, këtë vit të gjithë nxënësit e shkollës sonë do të furnizohen me tekste të reja", ka thënë drejtori i kësaj shkolle, Milazim Dërguti, i cili ka vënë në dukje se do të kërkohet nga nxënësit përmes kujdestarëve të klasave, një kujdes i veçantë ndaj librit, pasi që këto tekste mund të përdoren disa herë nga nxënësit.
Tash e disa vite qeveria e vendit është duke mbështetur nxënësit e këtyre niveleve të shkollimit me tekste falas, duke kursyer buxhetin e familjeve, të cilat kanë fëmijë në këto cikle shkollimi.
Në shkollat e ciklit fillor dhe në ato të mesëm të ulët të Komunës së Ferizajt ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore. Kjo shpërndarje si rëndom po bëhet në prag të fillimit të viti të ri shkollor.