Mbi 24 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në komunën e Ferizajt e kanë nisur mbarë sot vitin e ri shkollor. Drejtoria komunale për Arsim bën të ditur se i gjithë sistemi arsimor është i kompletuar me stafin adekuat , punët teknike dhe pajisjen me librat e nevojshme për një fillim të mbarë shkollor.
“Në disa shkolla është bërë renovimi si dhe lyrja e objekteve shkollore, si dhe instalimi i ngrohjes qindore, po ashtu shkollat janë pajisur edhe me mjete pedagogjike, është bërë shpërndarja e librave si dhe të gjitha materialet pedagogjike janë dorëzuar me kohë”, ka thënë drejtori Muhamet Halili.
Sipas Halilit, sfidë e këtij fillimviti është nisja e renovimit të dy objekteve shkollore , nxënësit e të cilave do të barten në objekte të tjera shkollore.
“Kuvendi i Arbërit” është bartur në “Gjon Serreq”, në ndërrimin e tretë klasa e 11 dhe e 12-ta, ndërkaq klasa e 10 është bartur në shkollën bujqësore “Zenel Hajdini”, kurse shkolla “Astrit Bytyqi” është bartur në shkollën “Vezir Jashari”, kurse cikli i mesëm i ulët i kësaj shkolle, është bartur në “Qendrën e Kompetencës” dhe mësimi fillon në orën 14:00, kështu që të gjitha shkollat kanë filluar me një shtator”, tha Halili.
Drejtues komunal të arsimit, kanë bërë të ditur se është bërë edhe plotësimi me kuadrin arsimore në të gjitha shkollat e Komunës së Ferizajt.
Në këtë fillimvit shkollor problem ka qenë edhe sistemimi i 55 mësimdhënësve që rrezikoheshin të mbeten pa punë nga heqja e klasës së 13. Për pjesën dërmuese është bërë zgjidhje ndonëse me më pak orë për një arsimtar , por vazhdojnë të jenë të rrezikuar edhe 5 inxhinier të agrobiznesit të cilët kanë qenë duke punuar si profesorë të lëndëve bujqësore. Zyrtarët nga drejtoria e Arsimit thonë se ende nuk dihet a do të mund të jenë pjesë e procesit mësimor këta mësimdhënës , sepse nuk janë formuar të gjitha paralelet e kësaj shkolle meqë vazhdon regjistrimi në klasët e 10 ta.
Në të gjitha shkollat e Komunës së Ferizajt, ka filluar procesi edukativo-arsimor.