Që nga orët e hershme të mëngjesit shumë qytetarë nga sheshi i qyteti kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa nën patronatin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është mbajtur një akademi solemne kushtuar kësaj ditë , ku pjesëmarrësit edhe njëherë çmuan lartë kontributin e dëshmorëve për lirinë e atdheut.
Numri një i Ferizajt, Muharrem Svarqa, me këtë rast ka thënë se ditët e Epopesë së Jezercit tashmë janë bërë e do të mbeten sot e përgjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë. Do të mbeten të skalitura në vetëdijen tonë si ditë të lavdisë, heroizmit e sakrificës, të cilave do t’iu kthehemi herë pas here si burim frymëzimi për ndjenjën e atdhetarisë e të flijimit për liri.
“Pa këtë pjesë të së kaluarës sonë të afërt, do të ishte e mangët jo vetëm historia më e re e Ferizajt dhe e Kosovës, por do të ishte i mangët edhe identiteti dhe dinjiteti ynë njerëzor e kombëtar. Sepse, nëse dinjiteti është vetëdija për vlerat, atëherë Ditët e Epopesë së Jezercit, janë ndër pjesët më të ndritura të vlerave kolektive të këtij nënqielli. Së këndejmi, Ditët e Epopesë së Jezercit janë një vlerë që kujdestaron në ndërgjegjen tonë kolektive kombëtare e atdhetare, për të na kujtuar në vazhdimësi çmimin e lartë që u pagua për liri, për të qenë të barabartë me popujt tjerë, për të pasur shtet, ashtu siç e kanë të tjerët, dhe në fund, për ta gëzuar të drejtën që ta ndërtojmë jetën tonë, ashtu siç dimë e siç mundemi vetë”, është shprehur Svarqa, duke theksuar se tashmë janë bërë 15 vjet përpjekje për ta jetësuar ëndrrën e dhjetëra e qindra brezave, që jetuan e vdiqën me peng në zemër, pasi nuk mundën ta shijojnë jetën në liri, ashtu siç e kemi ne.
“ Janë qindra e mijëra ëndrra brezash që e kanë pritur këtë kohë, për ta parë dritën e diellit, ndryshe nga ç’e kishin parë në kohën e tyre, për ta jetuar jetën pa frikë nga persekutimi, përçmimi, shtypja e nga synimi për shfarosje.
Sot, ndërkaq, jemi këtu ku jemi. Me arritjet, sukseset, sfidat e mossukseset tona. Nuk mund të mburremi se kemi bërë shumë, por po përpiqemi me të gjitha mundësitë. Nuk mund të krenohemi se kemi zgjidhur në shkallë të lartë problemet shoqërore, politike, ekonomike, arsimore, humanitare, kulturore e sportive. Por nuk kemi reshtur së kërkuari zgjidhje që do të kënaqnin nevojat e popullatës për punë, bukë e shkollim. Nuk mund të krenohemi me mirëqenien e të gjitha familjeve tona, me nivelin e shkollës sonë, as me cilësinë e punës që bëhet në projektet e infrastrukturës. Jemi me defekte e vështirësi, por ato po përpiqemi t’i ndreqim e t’i zgjidhim një nga një”, tha Svarqa.
Ai po ashtu ka theksuar se nëse gjatë luftës, atdhetaria tregohej duke luftuar me guxim e vendosmëri, ose duke dhënë kontribut në çfarëdo mënyre për luftën çlirimtare, sot atdhetaria tregohet me përkushtimin në punë e me angazhime profesionale në të gjithë lëmenjtë e jetës.
“Atdhetar i mirë sot është ai që e bën punën me devotshmëri në profesionin e vet dhe si rezultat, të gjithë së bashku do të kemi fëmijë të edukuar mirë, shëndet të përmirësuar të popullatës, infrastrukturë më cilësore, qeverisje të drejtë, sundim të ligjit dhe rritje të përgjithshme të mirëqenies.
Pesëmbëdhjetë vjet nga çlirimi, ne ende kemi nevojë t’i kthehemi Epopesë së Jezercit, për të gjetur burimin e frymëzimit, për të marrë zemër që të jemi më punëtorë, më të përkushtuar, më të devotshëm dhe më të bashkuar. Ne jemi një popull dhe vend i vogël, krahasuar me të tjerët. Ndarjet dhe përçarjet midis nesh, mendësia fanatike e tifozllëkut për interesa të ngushta, na bën edhe më të vegjël. Ndaj, të bashkuar, mund të jemi më të fortë dhe shumë më lehtë mund t’i tejkalojmë sfidat që kanë dalë e do të dalin para nesh.
Në shembëlltyrë të dëshmorëve, martirëve dhe viktimave që e dhanë jetën në themelet e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ne e kemi për borxh të flijojmë mundin e djersën, në themelet e ndërtimit të jetëve tona më të mira e më të begatshme.
Këtë borxh duhet ta lajmë, sepse e kemi për të mirën e këtij brezi dhe brezave të ardhshëm, që t’i fusim në rrjedhat bashkëkohore të qytetërimit.
Këtë borxh duhet ta lajmë edhe si shpagim të flijimit të të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë tonë”, ka përfunduar Svarqa.
Ndërkaq, kryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UCK-së, Nazmi Krasniqi, ka folur për luftën që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërkaq ka vlerësuar tejet lart edhe kontributin që dhanë 62 dëshmorët e komunës së Ferizajt.
Ndryshe, në këtë ditë para 13 viteve forcat e UÇK-së së kësaj ane, u përballën për katër ditë rresht me forcat ushtarake serbe, duke u shkaktuar humbje të mëdha në teknikë dhe njerëz. Në mesin e luftëtarëve të UÇK-së, në fushëbetejë ranë 9 dëshmorë të kombit, të cilët me gjakun e tyre e shkruan historinë më të re të komunës së Ferizajt.
Me këtë rast është shfaqur edhe një program I pasur kulturo-artsitik.
Dita e dëshmorëve të Ferizajt, 28 Shtatori, e cila lidhet me betejën më të lavdishme të UÇK-së së kësaj ane e njohur edhe si "Epopeja e Jezercit ", është shënuar me një varg manifestimesh.