Udhëheqja komunale e Ferizajt bëri të ditur se është duke vazhduar aksioni për lirimin e banesave të Komunës në godinën përballë Qendrës rinore, të cilat janë shfrytëzuar në mënyrë jolegale nga banuesit për afro dy dekada. Inspektorët dhe policia po ndërhyjnë për lirimin e banesave me një aksion të koordiniuar mirë edhe me kompaninë “Pastërtia”, duke evidentuar gjësendet e banuesve, deponimin dhe ruajtjen e dyre në vend të caktuar.
Deri tani janë liruar 6 nga 42 banesat e uzurpuara, ndërkohë që po vazhdon lirimi i të tjerave. Disa banues kanë paralajmëruar se do t’i sjellin vetë çelësat e banesave ku kanë banuar deri tani.
Udhëheqja komunale e Ferizajt bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë derisa të lirohen të gjitha banesat që shfrytëzoheshin në mënyrë jolegale. Më parë do të largohen banuesit të cilët e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, ndërsa banesat e Komunës i kanë dhënë me qira.
Kryetari i Komunës me vendim të veçantë ua ka njohur të drejtën e qëndrimit familjeve të dëshmorëve dhe atyre me nevoja të veçanta deri në zgjidhjen më të favorshme të çështjes së banimit për ta.
Deri tani janë liruar 6 banesa, ndërkohë që po vazhdon lirimi i të tjerave. Disa banues kanë paralajmëruar se do t’i sjellin vetë çelësat e banesave ku kanë banuar deri tani.