Përmbyllet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”
31/10/2014 00:00
U tha se fushat ka nisur të hënën në Prishtinë dhe se për gjatë tri ditëve është zhvilluar edhe një konferencë rajonale që në fokus ka pasur këtë çështje. Sipas organizatorit përmbyllja e fushatës po bëhet në Ferizaj dhe atë nën përkujdesin e kryetarit të Ferizajt,Muharrem Svarqa, i cili me këtë rast në cilësinë e nikoqirit i ka dhënë mbështetje të plotë të gjitha përpjekjeve që bëhen rreth sensibilizimit të opinionit publik që të jetë më i kujdesshëm ndaj viktimave të krimit. Svarqa ka vu në dukje se viktimat e krimit shpesh janë qenie delikate, që kanë pësuar dhunë të gjithfarëllojshme, që janë futur në gjendje psikike të pasigurisë, të frikës e të stigmatizimit.
"Gjendjen e bën edhe më të rëndë kur viktima të krimit janë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë jetën përpara, por që jeta e tyre sakaq ka marrë një rrjedhë të turbullt e plot dhunë. Detyra jonë si shoqëri dhe si institucione, është jo vetëm t’u ofrojmë mbrojtje e rehabilitim viktimave të krimit, por t’ua bëjmë me dije se ata kanë një të ardhme, me mbështetjen e gjithanshme që duhet t’u ofrohet" ka thënë Svarqa, për të vazhduar se në përgjithësi shoqëria jonë është patriarkale, shoqëri e mbyllur, në kuptimin që jo të gjithë anëtarët e familjes, si bërthamë e shoqërisë, e kanë të drejtën e fjalës së lirë.
"Këtu, besoj se shpesh fillon embrioni i moskuptimeve dhe e rrugëtimit të turbullt jetësor tek një pjesë e të rinjve, të cilët më pas përfundojnë si viktima të krimit të organizuar. Ndaj u takon të gjitha niveleve dhe organizmave shoqërorë, institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare, mediave dhe qytetarëve, por në radhë të parë u takon institucioneve shkollore, që të përpiqen për një angazhim më të hovshëm drejt emancipimit shoqëror" ka thënë Svarqa.
I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se si shoqëri, si institucione, sa i takon mbrojtjes së viktimave të krimit, duhet ta orientojmë aktivitetin në disa drejtime, duke vënë theksin në njoftimin dhe sensibilizimin e publikut rreth përmasave që ka krimi në vendin tonë, për numrin e viktimave të krimit, për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e viktimave të krimit, inkurajimin e viktimave që ta paraqesin krimin, të sigurohen viktimat e krimit se po trajtohen me drejtësi, respekt e dinjitet si dhe krijimi i kushteve për reahabilitimin e viktimave.
Në anën tjerët zv/prokurorja e shtetit Laura Pula, ka thënë se jemi këtu për ta shprehur përkushtimin tonë në mbrojtjen viktimave të krimit, duke thënë se mbrojta e këtyre drejtave jo vetëm që është obligim moral por edhe ligjor.
"Vetëdijesimi i qytetarëve me të drejtat e viktimave të krimit është punë dhe obligim i përditshëm dhe i përbashkët, ndërsa mbrojta e viktimave është detyrë që duhet zbatuar në praktikë çdoherë nga të gjithë ne.Të drejtat e viktimave janë të garantuara me kushtetutë dhe me ligje të Republikës së Kosovës. Viktima nuk zgjedhë vetën të jetë viktimë , por krimineli e zgjedh viktimën " ka thënë Pula.
Më tutje ajo ka shtuar se zyra e Kryeprokurorit të shtetit ka krijuar infrastrukturën ligjore dhe ka rritur resurset njerëzore me qëllim që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet, me respektin që e meritojnë përmes përfaqësimit të tyre në të gjitha fazat e procedurës gjyqësore dhe në kundërte afatit sa më të shkurtër ligjor. Se kjo fushatë e zhvilluar ka pasur synim sensibilizues e kanë thënë edhe akterët tjerë të drejtësisë ferizajase.
UD i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Sahit Krasniqi, UD i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Rasim Maloku dhe drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ndërsa koordinatorja për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve në SHBA, Nicole Borrello, ka vënë në dukje se çdo viktimë është rast në vete, ndërsa mbrojtjen e tyre e ka paraqitur si mjaftë sfiduese, e cila duhet të arrihet me një motivim dhe një përkushtim të lartë profesional.
Ndryshe, gjatë diskutimeve u pa qartazi se Kosova sa i përket këtij aspekti ka lëvizur përpara, ndërsa sipas folës problem mbetet kompensimi material i viktimave ngase ende nuk ka një fond të garantuar për kompensimin e viktimave të krimit. Në vazhdim pjesëmarrësit përcollën edhe një dokumentar në të cilin u pasqyrua një rast i viktimizimit me aspektet mbrojtëse, ndërsa me një minutë heshtje u nderuan të gjitha viktima e krimit në Kosovë.
"Java për të drejtat e viktimave të krimit" është aktivitet që është organizuar nën patronatin e kryeprokurorit të shtetit dhe në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë .
Ka përfunduar të premten në Ferizaj fushata pesëditore "Java për të drejtat e viktimave të krimit", me një tubim në të cilin edhe njëherë është thënë se kjo fushatë ka pasur karakter sensibilizues lidhur me të drejtat e viktimave të krimit.