Komuna e Ferizajt ka nisë identifikimin e objekteve pa leje në teren Ferizaj
07/11/2014 00:00
Drejtues të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis, gjatë një konference për medie kanë vu në dukje se tashmë komuna ka marr hartën ortografike dhe se një ekip pesë anëtarësh po punon në teren. Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Faik Grainca, duke i bërë një rekapitullim punës 9 mujore të këtij dikasteri, ka thënë se faza e parë e këtij projekti nënkupton identifikimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Ai ka shtuar se kry proces pritet të përfundoi deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm."Gjatë kësaj faze do të krijohen dy regjistra, njëri me objektet me leje, ndërsa tjetri do t’i ketë të dhënat për objektet pa leje.
Këto të dhëna më tutje do të inkorporohen në Regjistrat Kombëtar të ndërtimeve pa leje dhe atyre me leje" ka thënë Grainca. Për më tepër zyrtarët kanë thënë se bëhet fjalë për një projekt madhor në nivel vendi, në të cilën është involvuar krahas komunës edhe Qeveria, duke kërkuar kështu edhe përkrahjen qytetare për këtë proces.
" I ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet në ofrimin e të dhënave ngase është edhe interesi i tyre, ngase pas kësaj faze identifikuese do të pasoja faza e dytë e cila nënkupton procesin e legalizimit të objekteve të cilat i plotësojnë kriteret e parapara me ligj", ka shtuar Grainca.
Duke folur për aspektet tjera që lidhen me këtë drejtori, Grainca, ka thënë se gjatë nëntë mujorit të këtij viti kjo drejtori ka trajtuar hiq më pak se 1036 lëndë, prej tyre 24 lëndë kanë pasur të bëjnë me leje ndërtimi për objekte kolektive, ndërsa 55 të tjera për objekte individuale. Grainca ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur 50% më pak kërkesa për leje ndërtimi se sa gjatët vitit të kaluar. Ai këtë e ka arsyetuar me krizën ekonomike të përgjithshme e cila është bartur edhe në industrinë e ndërtimit.
"Gjatë kësaj kohe kemi inkasuar një shumë prej 216 700 eurove, shifër kjo që tregon se është e vogël krahasuar me vitin e kaluar",ka thënë Grainca, ndonëse prej qershorit të këtij viti, sipas tij, ka pasur edhe ulje të taksës së ndërtimit, por që nuk ka ndikuar në rritjen e të hyrave nga ky pozicion.
Gjithashtu në këtë konferencë u tha se komuna e Ferizajt ndodhet në fazën e miratimit të planeve urbanistike për tri zona të qytetit, ndërsa procesit të revidimit të planeve sipas zyrtarëve të urbanizmit do t’i nënshtrohet zona e parë dhe zona e tetë e qytetit. Ndryshe, u bë e ditur se në komunën e Ferizajt përfshirë edhe zonën rurale janë 35 mijë objekte që duhet regjistruar nga komisioni. Zyrtarët nuk kanë përjashtuar edhe problemet që do të dalin gjatë këtij procesi, sidomos me pronën, pastaj me objektet kolektive banesore, për të cilat u tha se në të shumtën e rasteve pronarët e tyre i kanë shkelur kriteret e parapara urbanistike.
Komuna e Ferizajt ka nisë zbatimin e Ligjit të ndërtimit pa leje, që po bëhet në kuadër të një projekti që po zhvillohet në tërë vendin.