Të dashur ferizajas,
Afrimi i Vitit të Ri dhe vetë nata e ndërrimit të moteve, prej kohësh është bërë traditë që të shoqërohet me krisma mjetesh piroteknike, madje edhe me armë zjarri, kryesisht nga fëmijët e të rinjtë, por edhe nga ndonjë i moshuar.
Pa dashur të mohoj traditën e vjetër të shqiptarëve, për të shkrepur një pushkë në ditë gëzimi, krismat e viteve të fundit në kohë festash, po irritojnë shumicën e qytetarëve të Ferizajt e të Kosovës.
– Së pari, kremtimi me krisma, nuk shkon fort me qytetërimin bashkëkohor dhe me vlerat e tij;
– Së dyti, krismat e festave, tashmë kanë marrë haraçin e vet, duke gjymtuar e lënduar dhjetëra fëmijë e të rinj të Ferizajt e më gjerë dhe është më se e qartë që një trend i tillë duhet ndërprerë;
– Së treti, kostoja e zhurmës me fishekzjarrë e me armë zjarri, është tepër e lartë për popullatën tonë të varfër.
– Së katërti, kremtimi me krisma të zhurmshme e të pakontrolluara, veç rreziqeve, na paraqet si një popull të paorganizuar, që lë mjetet piroteknike dhe armët në duar të paautorizuara për t’i përdorur.
Dhe, së fundi, brezat që e kanë përjetur luftën e fundit, e dinë shumë mirë se çdo krismë arme, therte drejt e në zemrat e ferizajasve, duke futur brengën se mund të ishte qëlluar ndonjë qytetar i pafajshëm nga regjimi shtypës i Milosheviqit.
Së këndejmi, duke u përmbajtur nga krismat e fishekzjarrëve dhe të armëve, ferizajsit sivjet e në të ardhmën kanë mundësi t’i kursejnë bijtë dhe bijat e tyre, por edhe qytetarët tjerë nga ndonjë gjymtim i mundshëm, të kursejnë mjaft para të shpenzuara për një destinim jo të mbarë e të padobishëm dhe ta tregojnë veten më të qytetëruar, duke kremtuar me zemër të hapur, me dashuri, me energji pozitive dhe me respekt për të tjerët.
Prandaj, të dashur ferizajas, foluni fëmijëve, bijve dhe bijave tuaja se nuk është vepër e qytetëruar të kërcasësh me çfarëdo mjeti para këmbëve apo shtëpive të qytetarëve të tjerë; se kënaqësia nga krismat dhe zhurmat, është kënaqësi primitive e individëve, e popujve dhe komuniteteve të paqytetëruara, që e ka burimin tek orgjitë e fiseve gjysmë të egra.
Foluni fëmijëve për dëmet që mund të bëjnë pakujdesitë e vogla, të cilat mund të sjellin dëme të mëdha. Kurseni paratë tuaja dhe keni respekt ndaj atyre që nuk i duan krismat. Mos e keqpërdorni lirinë tuaj, duke i dënuar të tjerët që të jetojë për disa javë midis krismave të pakontrolluara.
Me rastin e shpeshtimit të krismave në prag të festave të fundvitit, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa u ka drejtuar një thirrje qytetarëve që t’u flasin fëmijëve dhe të rinjve për nevojën që të mos kremtojnë me armë e mjete piroteknike, por me zemër të hapur, me prirje të mira dhe me vullnet për ta ndërtuar një jetë më të begatshme.