Asfaltimi i rrugëve, problemi i ujit të pijes, problemi me mbeturina, rrjetit energjetik, kazinot, hekurudha e deri te kërkesa për një post ministror e kanë dominuar debatin me qytetarë, në të cilin edhe njëherë është thënë se komuna po punon me përkushtimin më të madh për t’iu dhënë zgjdhje të gjitha problemeve të ngritura. Fillimisht kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në vija të trasha ka prezantuar një raport të detajuar, duke u ndalur në disa segmente të rëndësishme në të cilat nuk ka munguar suksesin. Kryetari Svarqa, këtu ka përmendur, shpenzimin e buxhetit në masën 99%, ngritjen e të hyrave vetanake si dhe uljen e shpenzimeve në atë masë që ka sjellur kursimin e 1.5 milion eurove.
"Si rezultat i një menagjimi të mirë të financave publike ia kemi dalur që të kursejmë një shumë të mirë të mjeteve. Kjo është bërë falë një punë të mirë të ekzekutivit komunal" ka thënë Svarqa, duke i numëruar edhe projektet nga të cilët edhe janë bërë kursimet.
I pari i Ferizajt,Muharrem Svarqa, më tutje është ndalur edhe tek projektet kapitale duke vë në dukje se ka pasur një buxhet më të madhe për këto projekte, ndërsa një aspekt i ka kushtuar edhe kualitetit të punimeve të cilat sipas tij ka shënuar ngritje mu nga fakti se është fuqizuar mbikëqyrja e tyre nga stafi profesional i komunës. Në këtë dialogim me qytetarë, Svarqa, ka përmendur edhe projektet me donacione nga jashtë, duke sjellur disa sosh.
"Projekti i çerdhes që pritet të nis vitin e ardhshëm në vlerë prej 840 mijë eurove, ai i rregullimit të oborrit të Gjimnazit "Shaban Hashani" në vlerë prej 170 mijë eurove, fusha sportive në Dubravë, rrethoja e shkollës në fshatin Zaskok, janë projekte që po financohen nga zyra e BE-së", ka thënë Svarqa.
Komuna e Ferizajt po bënë përpjekje që t’i fuqizoj zonat ekonomike, të cilat do të krijojnë një bazë të mirë për ta shndërruar Ferizajn në një zonë doganore ka thënë Svarqa. Ai me këtë rast u ka thënë qytetarëve se gjatë viteve në vijim komuna ka disa projekte të rëndësishme që do t”i jetësoj në bashkëpunim me donatorët e jashtëm.
"Ngritja e një fabrike të ujit në vlerë prej 3 milion eurove, ngritja e një fabrike për pastrimin e ujërave si dhe disa projekte të tjera të ujit janë synim i qeverisë komunale" ka thënë Svarqa.
Duke raportuar për punën e secilës drejtori komunale, kryetari Svarqa, ka përmendur investimet në bujqësi, shëndetësi, mirëqenie sociale, arsimi, shërbime publike e kulturë, por ka përmendur edhe punën e mirë që është bërë në Drejtorinë e Urbanizimit dhe të Pronës. Ai është ndalur veçmas në fushën e investimeve në që janë bërë në degën e bujqësisë, duke thënë se janë vërejte efektet para në punësimin e mbi 200 personave.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se do t’ju qëndroj besnik premtimeve elektorale, duke përmendur edhe njëherë problemin e spitalit dhe mundësinë e rishikimeve të planeve urbane me qëllim të rritjes së koeficientit të ndërtimit dhe etazhitetit.
"Këto do të bëhen ngase këto kanë qenë pjesë të programit tim dhe këto do të sigurojnë shërbime më të mira dhe mirëqene për qytetarët" ka thënë Svarqa.
Qytetarët kanë adresuar probleme të ndryshme, por ato që kanë spikatur kanë qenë problemi i asfaltimit të rrugëve, ujit të pijes, mbeturinat, hekurudha, kazinot, por edhe një propozim nga një qytetar, i cili i në paraqitjen e tij e adresoj vërejtjen se pse Ferizaj nuk ka asnjë ministër në Qeverinë e Kosovës.
Qytetarë të Ferizajt e kanë shfrytëzuar të premten një tubim publik për t’i adresuar kërkesa të shumta të parit të kësaj komune Muharrem Svarqa.