Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka folur fjale miradije për mjekun ferizajas i cili ka kontribuar mjaft shumë në shëndetin e qytetarëve.
“Kam bindjen se realiteti të cilin po e jetojmë, na ka mësuar e po na mëson përditë e më tepër se personalitete si doktor Ismet Abdullahu, duhet të kujtohen sa herë që të jetë e mundur, jo për të renditur meritat e tij në fushën e mjekësisë e humanizmit, sepse ato tashmë janë të njohura, por për t’ia kujtuar vetes sonë shembujt pas të cilëve bëjmë mirë të ecim, në daçim të jemi të dinjitetshëm, në daçim të jemi në nivel të detyrës dhe në daçim të përmbushim misionin që kemi marrë përsipër. Kam bindjen se doktor Ismet Abdullahu, nuk ka nevojë për nderet e lavdet që mund t’ia radhisim sot në pesëvjetorin e largimit të tij nga mesi ynë. Kemi më shumë nevojë ne të gjallët që shembëlltyra e tij të na prijë në punët tona të përditshme, në angazhimet dhe synimet tona”është shprehur kryetari Svarqa.
Për jetën dhe veprën e doktor Ismetit, ka folur edhe ish ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani. Ai ka shkëputur pjesë të shumta nga puna e gjatë që ka pasur me të njerin.
Kujtime të shumta nga jeta me dr. Ismetin ka shkëputur edhe dr. Safet Beqiri dhe kryetari i AKR-së në Ferizaj, Ibrahim Hyseni.
Ndërkaq në emër të familjes së të ndjerit të pranishmit në këtë akademi përkujtimore i ka përshëndetur djali i tij Ronit Abdullahu.
Dr. Ismet Abdullahu, vdiq pesë vite më parë nga një sëmundje e rëndë.
Në pesëvjetorin e vdekjes së dr. Ismet Abdullahut, këtë të mërkurë u mbajt mbledhje përkujtimore për neuropsikiatrin, veprimtarin dhe humanistin ferizajas dr. Ismet Abdullahun.