Në një akademi kushtuar jetës dhe veprës së tij është thënë se Misreti ka qenë një aktorë me potencë të lartë skenike e krijuese, një aktor i rrallë me një të folur skenike aq të pastërt sa që ja kanë pasur lakmi edhe aktorët më me namë. Në këtë akademi përkujtimore i pari e ka marr fjalën kreu i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili duke folur për veprën krijuese të Misretit ka thënë se kujtimi i jetës dhe veprës së një artisti, na jep mundësinë që ne t’ia kujtojmë vetes borxhin që ua kemi të gjithë atyre ferizajasve, që lanë gjurmë në kohën e tyre dhe në kohën tonë, me veprën, përkushtimin, vlerat dhe angazhimin në jetën kulturore e publike.
"Dhe ky borxh, nuk është i vogël. Sepse këtë traditë disa dekadëshe që e kemi në fushën e këngës, të teatrit dhe të arteve tjera, e kanë trasuar, e kanë bërë dhe i kanë dhënë formë personalitete të dalluara, të cilët tërë jetën e kanë kaluar duke i shërbyer kultivimit të artit të tyre. Prandaj, kanë mbetur në kujtesën tonë si korifej dhe si modele të sakrificës dhe angazhimit jo vetëm për ta realizuar veten, por për ta realizuar edhe nivelin e mirë të jetës kulturore ndër ne", ka thënë Svarqa, për të shtuar se Misreti jetoj dhe veproj në kohën kur populli i ynë i bënte hapat e para të zgjimit kombëtar.
"I tillë ka mbetur në kujtesën tonë edhe Misret Halili. Ai jetoi në kohën kur ferizajasit dhe kosovarët sapo bënin hapat e parë të zgjimit kombëtar e kulturor, pas shekujsh letargjie e shtypjeje. Ai i dha ngjyrimin e tij koloritit të jetës teatrore e kulturore në Ferizaj, në kohën kur arti kishte më shumë se funksion artistik, kur arti ndër ne kishte mision jo vetëm kultivimin dhe fisnikërimin shpirtëror, por edhe misionin e ngritjes arsimore, misionin e përhapjes së ideve përparimtare dhe të ndryshimit të mendësisë së mykur e të prapambetur”, ka thënë Svarqa, duke theksuar se Misret Halilin e ka njohur si idealist të ndryshimeve shoqërore përparimtare, përmes shkollimit dhe përmes artit.
Edhe folësit tjerë e kanë lartësuar secili në mënyrën e vet figurën prej artisti e krijuesi të Misret Halilit. Fadil Hysaj e Haqif Mulliqi, kanë sjellur momente nga puna e përbashkët në teatër, ndërsa një biografi të plotë të tij para të pranishmëve e ka sjellur shoku i tij i ngushtë, miku e bashkëvendësi, Rrahim Sadiku, duke e portretizuar figurën e tij si të një njeriu që ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në teatër, por edhe në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të tëra. Edhe shoku i klasës dhe kolegu tij, mësuesi Musa Limani, ka sjellur momente të një rrugëtimi të përbashkët jetësor që nga bangat e shkolës fillore e deri te puna e përbashkët në arsimimin e brezave.
Kompozitori i mirënjohur, Fahri Beqiri,ka folur për përvojën e mirë që ka pasur me Misretin në përgataitjen e shumë evenimenteve kulturore duke përmendur Festivalin "Kosovarja këndon", ndërsa u ka përkujtuar të pranishmëve, se ishte ai që për të fundit herë u nda nga Misreti, pas premierës së dhënë në Gjilan me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku Misreti në mënyrë brilante kishte luajtur rolin e Ismail Qemalit.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Drejtori i Teatri"Adriana" Fatmir Hyseni,ndërsa para të pranishmëve është shfaqur edhe një sekuencë filmike e paraqitjes së Misretit në rolin e Prometeut.
Ndryshe, gjatë leximit të biografisë së aktorit tashmë të të ndjerë, Misret Halili, i gjatë ka qenë vargu i roleve të tija në skenën e teatrit e të fillimit.
Misret Halili u nda nga jeta pas një sëmundje të shkurtër në moshën 59 vjeçare dhe pas vetes ka lënë familje.
Në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta të mërkurën pasdite në Ferizaj është përkujtuar aktori dhe ish-drejtori i Tetarit Profesionist "Adriana", Misret Halli.