Ata kanë marrë opinionet e qytetarëve lidhur me këtë dukuri shqetësuese që ka marrë përmasa të gjera, në një komunikim të afërt e të sinqertë që ka zhvilluar në qytet, lokale e biznese të Ferizajt. Qytetarët e Ferizajt e kanë përshkruar gjendjen socio-ekonomike si shumë të rënduar, problem ka që sipas tyre ka shkaktuar këtë valë migrimesh drejt shteteve perëndimore, derisa një numër prej tyre janë shprehur se janë kundër ikjes nga vendi, por që shteti duhet bërë më shumë punë për hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e një mirëqenie sa më të mirë për qytetarë.
"Kanë humbur gjasat për punë, prandaj po detyrohen të migrojnë. Ky është problemi i vetëm. Po kryejnë shkollat dhe nuk po mund të vijnë deri tek vendi i punës", i ka thënë presidentes një qytetar nga Ferizaj, duke e quajtur të dhimbshme largimin e të rinjve dhe familjeve të tëra.
Presidentja Jahjaga ka kërkuar nga bizneset që të ushtrojnë ndikimin e tyre tek të afërmit e tyre e qytetarët që të mos ndjekin këtë rrugë, por që të kërkojnë mundësitë këtu, duke premtuar se institucionet do të angazhohen për ndryshimin e kësaj gjendje me hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së përgjithshme.
Shkrimtari ferizajas, Ismet Aliu i ka thënë presidentes se në këtë situatë duhet të mobilizohen të gjithë, për të ndërprerë këtë valë migrimesh.
"Jo vetëm me fjalë, por të krijojmë një atmosferë më të mirë, vende të punës, qetësi më të madhe, të luftohen dukuritë dëmtojnë vendin, në mënyrë që një pjesë e të rinjve që janë të zhgënjyer prej jetës e shumë gjërave të shohin një lloj perspektive", ka thënë Aliu duke këmbëngulur se kjo mund të bëhet nëse nuk mungon angazhimi i të gjithëve për ngritje të moralit.
Presidentja Jahjaga ka thënë se ka ardhur në Ferizaj, për të biseduar me qytetarët, përkitazi me këtë situatë. Ajo ka thënë se me kryetarin e Ferizajt, Muharrem Svarqa kanë dëgjuar shqetësimet dhe brengat e qytetarëve.
"Ne të gjithë ndajmë atë brengën se Kosova nuk është ajo që ne e kemi dëshiruar ta kemi pas përfundimit të luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por të gjithë jemi të vetëdijshëm e procesi i shtetndërtimit është një proces i gjatë, një proces që merr kohë, është i mundimshëm dhe këtë proces duhet ta kalojmë me punë nga institucionet vendore, qeverisë, legjislativit dhe pushteteve lokale. Unë kërkova nga qytetarët që takova, këta të apelojnë tek të afërmit e tyre, familjarët e tyre, dashamirët e tyre, se ikja nuk është zgjidhje", ka thënë Jahjaga, ndërsa ka shtuar se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur.
Kryetari i Ferizajt ka thënë se Komuna e Ferizajt po punon në drejtim të sensibilizimit të qytetarëve për të mos braktisur vendin.
"Ne kemi përgatitur spote dhe kemi nxjerr në qytet edhe citylajte të ndryshme, në mënyrë që dihet se jemi në vazhdën e përpjekjeve për të ndalë këtë trend negativ, i cili prodhon pasoja të rënda, duke prishur edhe strukturën gjinore e sociale dhe sigurisht se një rrugë të cilën e kam kaluar edhe unë, nuk ia dëshiroj askujt e më së paku qytetarëve të Ferizajt, meqë unë jam kthyer për ta ndarë fatin tim dhe të familjes sime me ta", ka nënvizuar Svarqa.
Presidentja Jahjaga ka vizituar edhe një ndërmarrje për prodhimin e mobileve në fshatin Greme, nga e cila është thënë se janë larguar disa punëtorë, të cilët kanë mësyrë shtetet perëndimore.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, dhe nënkryetari Xhavit Zariqi, kanë kërkuar nga qytetarë e Ferizajt që të mos braktisin vendin, sepse siç kanë thënë migrimi nuk është zgjidhje e duhur.