Sipas tyre në këtë shifër nuk janë përfshirë edhe dëmet e shkaktuara në sipërfaqet e mbjellura me kultura vjeshtore. Koordinatori i komisionit për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, Xhemajl Reçica, ka thënë se komisioni e ka vlerësuar në teren gjendjen e shkaktuar në ekonomitë familjare dhe në amvisri.
"Në bazë të raportit vlerësues katër fermerëve u janë shkaktuar dëme në vlerë prej 3500 eurove. Dëmet kanë qenë të natyrave të ndryshme, si në blegtori, bletari e ushqim të kafshëve", ka thënë Reçica. Për më tepër bëhet e ditur se dëme ka pasur edhe në amvisëritë familjare dhe se vlera e dëmit shkon dikund në 2000 euro.
"Në dy familje komisioni ka vlerësuar se janë shkaktuar dëme në teknikë të bardhë dhe orendi shtëpiake", ka nënvizuar kryetari i Komisionit për vlerësim Xhemajl Reçica. Ndryshe, në këtë vlerësim nuk janë përfshirë edhe dëmet e shkaktuara në sipërfaqet e mbjellura me kultura vjeshtore të cilat zënë një sipërfaqe prej 100 hektarësh. Koordinatori Reçica, ka thënë se vlerësimi i gjendjes do të bëhet pas largimit të ujit nga këto sipërfaqe.
"Nga kjo sipërfaqe, 30% e saj është e mbjellur me grurë, ndërsa pjesa tjetër janë livadhe. Pavarësisht kësaj komuna është e vendosur që pas vlerësimit të dëmit t’i kompensoi edhe këta fermerë", ka thënë Xhemajl Reçica.
Fshati Tërrn pothujase çdo herë atakohet nga ujerat e reshjeve bile edhe gjatë verës. Komuna e Ferizajt për këtë situatë e fajëson komunën e Lipjanit, e cila nuk i ka kushtuara kujdes pastrimit të shtratit të lumit Sitnica, sidomos në grykën ku derdhen ujerat e ujëmbledhësit, i cili i përshkon disa fshatra të komunës së Ferizajt. Shumë herë është folur për një projekt të përbashkët ndërkomunal por që asnjëherë nuk është jetësuar. Së fundi komuna e Ferizajt i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës, që të merret me këtë problem i cili është më rënduesi për banorët e kësaj zone.
Vlera e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet në fshatin Tërrn të Ferizajt kap shifrën e 5500 eurove, kanë bërë të ditur zyrtarë të komisionit komuna për vlerësimin e dëmit.