Të dashur ferizajas,
Përvjetori i shtatë i pavarësisë së Kosovës na ka gjetur më pak entuziastë, më pak krenarë dhe më pak të lumtur se herave të tjera. Qindra e mijëra qytetarë, sidomos fëmijë dhe të rinj që e braktisën muajve të fundit vendin tonë, na e kanë zbehur shënimin e shtatëvjetorit të datës më të madhe në historinë e Kosovës, datën e pavarësisë së njohur ndërkombëtarisht. Dëshiroj që me këtë rast të ndaj shqetësimin me të gjitha ato familje dhe individë, që kanë qenë të shtrënguar t’ia kthejnë shpinën vendit të vet, për shkaqe varfërie, papunësie e mungese të perspektivës për ndërtimin e mirëqenies në Ferizaj e në Kosovë.
Por të dashur ferizajas,unë jam i bindur se, me përjashtime të rralla, askund nuk do ta keni më mirë se në shtëpitë tuaja.
Prandaj, unë ju ftoj që këtu dhe së bashku, ta bëjmë betejën për ta përmirësuar jetesën tonë dhe për ta ndërtuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe tek ne do të gjenden zgjidhje e rrugë për të ecur përpara. Meqë e sotmja është shumë më e mirë se e kaluara, besoj fuqimisht se e ardhmja do të jetë më e mirë se e sotmja.
Dëshiroj që së paku në ditën e madhe të pavarësisë së Kosovës, të përpiqeni të gëzoni e të uroni njëri-tjetrin për më shumë dashuri, për më shumë shëndet e mirëqenie. Gëzuar 7-vjetorin e pavarësisë! E gëzofshim gjithmonë të bashkuar, në paqe e begati! Gëzuar!
Svarqa: Qindra e mijëra qytetarë, sidomos fëmijë dhe të rinj që e braktisën muajve të fundit vendin tonë, na e kanë zbehur shënimin e shtatëvjetorit të datës më të madhe në historinë e Kosovës, datën e pavarësisë së njohur ndërkombëtarisht