U tha se kjo po bëhet në kuadër të një projekti ambiental i cili tashmë është bërë i përvitshëm. I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, me këtë rast ka thënë se kjo ditë e ka simbolikën e vet ngase në një farë mënyrë simbolizon rilindjen e jetës, nisjen e një gjallërimi që na motivon për ecje tutje me punë.
"Është një ditë që do të rritë ndjenjën edhe dashurinë ndaj punës, dashurinë ndaj kultivimit të një ambienti shumë të bukur. Është mirë që në mesin tonë ka ambientalist që dëshirojnë të ndryshojnë pamjen e natyrës në dobi të shijimit estetik të saj. Me këtë ne po hapim kështu një kapitull të punës i cili padyshim nuk do të ndalet këtu por që do të vazhdoj gjatë tërë vitit edhe me projektet tjera", theksoi Svarqa.
Për më tepër u tha se projektet e këtilla ambientale do të krijojnë një traditë të mirë edhe te ne, sikurse tashmë e ka Shqipëria me ditën e verës që shënohet tradicionalisht në Elbasan. Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se në të ardhmen po mendohet që ky aktivitet të begatohet edhe me veprime të tjera të rëndësishme.
"Në një të ardhmen të afërt do ta begatojmë këtë ditë edhe me aktivitete të tjera. Një ditë ku i kisha ftuar të rinjtë që të fillojnë një jetë më të mirë së paku për dashuri më shumë" ka nënvizuar Svarqa.
Ky projekt po jetësohet në kuadër të Drejtorisë për Shërbime Publike, zyrtarët e së cilës kanë thënë se projektet ambientale do të zënë vend të rëndësishëm në kuadër të projekteve zhvillimore.
"Ky nuk do të jetë projekti i fundit. Gjatë viti do të jetësohen edhe shumë projekte të tjera ambientale që Ferizajt për çdo ditë po ia ndryshojnë pamjen", ka thënë me këtë rast drejtoresha e DSHPE, Mimoza Fazliu.
Në kuadër të ditën së pranverës, komuna e Ferizajt ka nisur të shtunën aksionin për mbjelljen e 3000 luleve.