Ky manifestimi i organizuar nën patronatin e kryetarit të Ferizajt,Muharrem Svarqa, dhe i përkrahur nga Shoqata "Miqtë e Amerikës" edhe njëherë ka rikthyer kujtesën tek viti 1999, i cili siç u tha nga folësit shënon kthesën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në fjalën e tij ka thënë se dita e sotme, do të duhej quajtur Dita e Shpresës dhe të shënohet në vazhdimësi si e tillë, duke shtuar se 16 vjet më parë, ferizajasit dhe kosovarët, pas një shtypjeje e keqtrajtimi shfarosës, përfundimisht e kuptuan se liria nuk do të vononte, se së shpejti do të përfundonin vuajtjet e pafund që kishin përjetuar për shumë vite e dekada.
"16 vjet më parë populli i Kosovës po priste me ankth e në ethe, nëse bota përparimtare do ta mbështeste synimin dhe përpjekjet e tij për liri e pavarësi, apo do t’i linte në vorbullën e dhunës së paparë, vrasjeve, torturave, ndjekjeve e dëbimeve masive nga vatrat stërgjyshore. Pritjet ishin të ndryshme, duke marrë parasysh burokracinë dhe interesat shpesh jo të përputhshme të atyre që krijojnë paqen. Kishte mjaft rezerva e skepticizëm, sepse bota përparimtare, ashtu si edhe shumë herë të tjera në luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit në Ballkan, kishte bërë trysni politike e ekonomike ndaj agresorit, por nuk kishte përdorur forcën ushtarake, e vetmja gjuhë që respektohej atë kohë nga ata që inspironin, ushqenin dhe e mbështesnin luftën për të shtypur të tjerët",theksoi Svarqa.
Ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike për të përfunduar dhunën e terrorin ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, në perceptimin e shumicës së kosovarëve, është një mrekulli, e cila ndodh shumë rrallë, ka shtuar në vazhdim kryetari Svarqa "Ndërhyrja e NATO-s më 1999, i ka dhënë popullit të Kosovës një shans historik për të konsoliduar lirinë, për ndërtimin e jetës pa dhunë e pa shtypje nga të tjerët. I ka dhënë shansin për ndërtimin e jetës së re, në kushte krejtësisht të të tjera, nga ato që e kishin shoqëruar këtë popull me dekada. Është çështje tjetër se sa e kanë shfrytëzuar kosovarët këtë mundësi.
Por, një gjë është e sigurt. Ndërhyrja e NATO-s më 1999, ka hapur një kapitull të ri në historinë tonë më të re në shumë kuptime dhe në shumë drejtime. E ka sforcuar orientimin europerëndimor të popullit shqiptar, për të përqafuar mënyrën perëndimore të jetesës, të punës e të mendësisë", ka nënvizuar kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa.
Se populli shqiptar gjithmonë do t’i jetë mirënjohës SHBA-s dhe NATO-s e ka thënë edhe kryetari i Shoqatës "Miqtë e Amerikës", Afrim Rexhepi, i cili në fjalën e tij ka vë në dukje rolin e SHBA-së në luftën e Kosovës, duke vënë theksin në atë se si popull shqiptarët i kanë shumë borgj NATO-s, e në veçanti SHBA-ve, sepse si aleat strategjik gjatë historisë kanë dëshmuar se janë përkrah popullit shqiptar."Jemi për bashkëpunim me të gjitha shtetet progresive, por kontributin e Amerikës nuk do ta harrojmë asnjëherë .Misioni i shoqatës sonë qëndron në njohjen e kësaj ndihme.
Ne dimë ta vlerësojmë dhe të falënderojmë të gjitha ata që na ndihmuan", ka thënë Afrim Rexhepi Edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së(SHFD) nga Ferizaj, Gafurr Bytyqi, në emër të shoqatës ka falënderuar SHBA-t dhe NATO-n për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.
"Gjëja më e madhe e një populli, e një njeriu është të jetë i lirë. Vëllezër dhe motra ne jemi të lirë, me miq të fuqishëm të cilët i falënderojmë. Faleminderit Amerikë, Faleminderit NATO", ka thënë Bytyqi.
Manifestimi është përcjellur me një program të pasur artistik të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës së Muzikës "Çesk Zadeja" të Ferizajt. Ndryshe, gjatë ditës kryetari i Ferizajt,Muharrem Svarqa, në një takim tashmë tradicional i njohur si "Kafeja e miqësisë" ka nderura me mirënjohje KFOR-in amerikan për kontributin e dhënë në mbajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Ferizajt.
"Faleminderit NATO" (Thank you NATO) ka qenë motoja e manifestimit kushtuar 16 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë që u mbajte të martën në Ferizaj.