Për shënimin e kësaj ditë mori pjesë kryetari I Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët e tij, familjarë të dëshmorit Vezir Jashari si dhe nxënës dhe mësimdhënës të kësaj shkolle.
Me këtë rast kryetari Svarqa ka përshëndetur familjen e dëshmorit Vezir Jashari, si dhe të pranishmit të tjerë, ndërsa ka theksuar se kjo ditë është tejet e rëndësishme për nxnësit dhe mësimdhnësit e shkollës.
“Një ditë si kjo e sotmja, na bën të reflektojmë në shumë aspekte:
– të shikojmë nga e kaluara jo shumë e largët, kur nxënësit tanë nuk mund të mësonin në shkollat e tyre; kur ata dhe mësuesit shqiptarë ndiqeshin e keqtrajtoheshin mizorisht, sepse nuk donin të mësonin atë që u servonin të huajt në planet dhe programet shkollore. Prandaj u deshën shumë sakrifica, vuajtje dhe flijime të panumërta, për të arritur kjo kohë, që ne të jemi të zotët e vetvetes, t’i ndërtojmë e t’i qeverisim vetë shkollat dhe institucionet tona, t’i formulojmë e t’i zbatojmë vetë përmbajtjet mësimore dhe edukative. Një ditë si kjo e sotmja është një rast i mirë që të kujtojmë se të rinj e të reja si Vezir Jashari, kanë krijuar një trashëgimi krenarie, që na bën të ndihemi të dinjitetshëm në vendin tonë dhe na jep forcë për të ecur përpara drejt shtigjeve të lirisë e të përparimit. Sepse sakrifica e Vezirit dhe shokëve të tij, është një udhërrëfyes për ta kuptuar përherë çmimin e lirisë, çmimin e jetës pa përbuzje, përçmim, shtypje e mizori. Sakrifica e dëshmorëve është një dritë që na udhëheq e duhet të na prijë përherë në rrugëtimin tonë të përditshëm për dije, punë, zhvillim dhe përparim në ndërtimin e jetëve tona”, ka thëne kryetari Svarqa, ndërsa ka theksuar se ne duhet të jemi të lumtur që kemi pasur djem si Vezir Jashari dhe shokët e tij.
“Jam i bindur se po iu qasëm punës, mësimit dhe ndërtimit të së ardhmes me seriozitetin dhe përkushtimin e dëshmorëve, kjo e ardhme pa dyshim se do të jetë e ndritur.
Për një gjë jam i sigurt: se e sotmja është më e mirë se e kaluara. Për këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Por kam bindjen e plotë se e ardhmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Ajo do të vijë e tillë për shkak se bota ecën vazhdimisht përpara, por edhe me angazhimin dhe përkushtimin tonë të përbashkët. Në këtë rrugëtim drejt së ardhmes më të mirë, ne vazhdimisht duhet të pyesim veten, nëse jemi në rrugën e duhur drejt këtij caku; nëse po bëjmë përpjekjet e duhura dhe nëse po japim gjithçka nga vetja, që të kemi shkolla më cilësore, nxënës të përkushtuar e të edukuar, të cilëve u japim mundësi për të marrë njohuritë e nevojshme për moshën e tyre dhe për ta zhvilluar talentin ose prirjet e tyre, nëse po i përgatisim mirë për jetë”, është shprehur kryetari Svarqa.
Me një fjalë rasti në këtë aktivitet i ka përshëndetur edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit Muhamet Halili, i cili i ka përgëzuar drejtuesit e kësaj shkolle për punën dhe angazhimin që po bëjnë në fushën e dijës.
Të pranishmit në këtë ditë, i ka përshëndetur edhe drejtoresha e kësaj shkolle Fatushe Azemi, e cila ka folur për rezultatet dhe të arriturat e nxënësve të shkollës “Vezir Jashari.
Në ditën e shkollës, “Vezir Jashari” të pranishmëve i është drejtuar edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Gafurr Bytyqi.
Me këtë rast është shfaqur një program i pasur kulturo-artistik.
Këtë të enjte në Ferizaj, është shënuar dita e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Vezir Jashari” në Ferizaj.