Pavarësisht të arriturave të shumta të kësaj drejtori sfide ne vete vazhdon të mbetet problemi me listat e pagave të mësimdhënësve ferizajas, kështu është shprehur në konferencën e sotme drejtori i Arsimit në Ferizaj Muhamet Halili. Sipas tij me rishikimin e buxhetit që pritet të bëhet gjatë muajit qershor do të zgjidhet edhe kjo problematikë.
“Në këtë vit që ne kemi filluar kemi pasur problem me listat e pagave por edhe aty jemi munduar që të gjithë mësimdhënësit që janë në sistem ti marrin pagat dhe kjo po ndodh dhe është një sfidë deri në muajin qershor deri në rishikim të buxhetit në mënyrë që pjesa e cila mbetet të kompensohet. Tash për tash mësimdhënësit janë në listën e pagave, por po na paraqitet problem në nivelin qindor”, tha Halili.
Ai ka folur edhe për demolimin e shkollave të qytetit të Ferizajt, që sipas tij kjo dukuri vazhdon të jetë zakonisht në përfundim të vitit shkollor.
“Është e vërtetë që kjo dukuri po paraqitet në fund të vitit shkollor dhe po bëhet demolomi i shkollave, konkretisht në marrjen e ditarëve. Është një shqetësim dhe ne po mundohemi maksimalisht që të krijojmë një mënyrë që të sigurojmë roje në objektet shkollore e cila po na kushton shumë, sepse e parë, ne nuk mund të fusin mbi 200 punëtorë, sepse objekte shkollore duhet të ruhen 24 orë dhe vetëm për një shkollë duhet të jenë minimumi tre punëtorë, ne i kemi 62 objekte shkollore që i bjen dikun afër 200 punëtorë më i punësu dhe në mungesë të mjeteve nuk mund ta realizojmë këtë projekt edhe këtë vit. Jemi duke biseduar edhe me Policinë e Kosovës ku kemi bërë një plan operativ ku do të ketë vizita më të shpeshta në të gjitha shkollat e Ferizajt”, ka thënë Halili.
U bë e ditur se gjatë këtij viti vetëm në Drejtorinë e Arsimit investime kapitale do të jenë 436 mijë ku do të investohet në rregullim të nxemjeve qendrore, rregullim të fushave sportive, rregullim të kulmeve, por edhe rregullim të rrethojave shkollore. Po ashtu gjatë kësaj konference për gazetarë janë përmendur edhe shumë suksese të nxënësve të shkollave të qytetit të Ferizajt të cilët po tregojnë rezultate të kënaqshme në nivel vendi.
U tha se tash e tutje shkolla e mesme e bujqësisë do të quhet shkolla e mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, pas kërkesë që është bërë në Ministrinë e Arsimit dhe është miratuar.
Numri një i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili, këtë të martë ka paraqitur raportin e punës tre mujore të këtij departamenti.