Në këtë takim, temë kyç ishte ofrimi i shërbimeve sa më të mira për bashkatdhetarët tanë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Me këtë rast numri një i qytetit të Ferizajt ka shprehur gatishmërinë e tij, që Komuna e Ferizajt për bashkatdhetarët do të ofrojë shërbime shumë cilësore dhe pa pritje të gjata.
“Ministrinë e Diasporës ne e konsiderojmë si njërën ndër ministritë më të rëndësishme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse është një ministri e cila përfaqëson interesat e gjysmës së popullatës së Kosovës e cila jeton në të gjitha kontinentet e globit tokësor. Ministrin e njoftova se në komunë tonë janë mbi 47 mijë mërgimtare të cilët me remitancat e tyre kanë qenë pjesë rrjedhëse dhe buka e përditshme e Kosovës, një diaspore e cila është shumë mirë e organizuar, dhe një pjesë e fuqishme e zhvillimit ekonomik”, është shprehur kryetari Svarqa, duke thënë se komuna e Ferizajt do të organizojë Ditët e Diasporës dhe do t’ju ofrojë të gjitha parakushtet që ata dëshirojnë t’i kenë.
“Ne si komunë do t’i ofrojmë të gjitha parakushtet duke hapur sportele për kryerjen e punëve dhe shërbimeve për mërgimtarët një praktike që e kemi realizuar edhe në të kaluarën, dhe do të ofrojmë të gjithë infrastrukturën në dobi të tyre në mënyrë që ata të mos i nënshtrohen pritjeve të gjata eventuale, po ashtu do të bëjmë edhe zgjatjen e orarit të punës sidomos tek shërbimet që ata kanë nevojë”, tha Svarqa.
Ndërkaq Ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se gjatë muajve të verës bashkatdhetarët tanë, duhet t’i presim në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Po ashtu biseduam edhe për një proces shumë të rëndësishëm, i cili është regjistrimi i diasporës ku unë ftojë bashkatdhetarët që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit, sepse është një proces shumë i rëndësishëm i Kosovës për të ditur numrin e tyre, në mënyrë që ne të jemi të aftë që të organizojmë edhe politikat për bashkatdhetarët tanë. Normalisht ajo që na intereson të gjithëve është zhvillimi ekonomik dhe ai socio-ekonomik i vendit, dhe kjo lidhet edhe me remitancat që ata dërgojnë që në nivel vendi është afër 700 milion ky është vlerësim i Bankës Qendrorea të Kosovës, por edhe të krijojnë kushte sa më të mira, që bashkatdhetarët biznesmenët tanë mund të vinë dhe të investojnë këtu”, është shprehur ministri Murati.
Në takim me kryetarin e Ferizajt u bisedua edhe për koordinimin e aktiviteteve kulturore në “Ditët e Diasporës”, si dhe bashkëpunimi për organizimin e takimeve të përbashkëta me biznese nga diaspora, të cilat me investimet e tyre do të mund të kontribuonin në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë të enjte priti në një takim Ministrin e Diasporës, Valon Muratin i cili ishte i shoqëruar edhe nga zv.ministri Sahit Krasniqi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.