Me këtë rast është thënë se prej tetë qendrave trajnuese të Kosovës, Ferizaj ka marr epitetin e qendrës referente falë programeve që ka zhvilluar në nivel të rajonit. I pari i shëndetësisë së Ferizajt Burim Karameta, ka thënë se Ferizaj është marrë si shembull i zhvillimit të mjekësisë primare.
"Kjo fletë për një kualitet të mjekësisë primare që zhvillohet, implementohet në shëndetësinë ferizajase. Secili mjeke që dëshiron të kualifikohet për specialist të mjekësisë familjare duhet të ndjekë edhe kurset trajnuese dhe edukuese në qendrën trajnuese që funksionon këtu. E njëjta diplomë do të jetë e njohur edhe jashtë Kosovës,kjo është eskluziviteti që e kanë bërë njerëzit tanë", ka thënë Karameta.
Drejtori i QKMF-së, Asllan Bajrami këtë sukses e ka lidhur me punën e palodhshme 15 vjeçare të stafit të kësaj qendre, ndërsa ka bartur mesazhin tek qytetarët dhe pacientët se mjekësia familjare e Ferizajt tashmë e ka edhe një verifikim ndërkombëtar.
"Tani çdo mjek e tutje i specializuar në këtë kurikulum të specializimit i ka dyert e hapura dhe është i pranuar paraprakisht me certifikatë të pranuar nga vendet e BE-së. Kjo tregon për cilësinë e punës tonë qe e kanë përcjellë për 15 vite, e kanë mbështetur ndërkombëtaret dhe vendoret, është një falënderim edhe për ta, por edhe ne kemi arritur një synim që në nivel të ballkanit, është i vetmi shtet që ka një shkollë të pranuar ndërkombëtarisht" ka thënë Bajrami, për të shtuar se mjekët e rinjë tashmë i kanë mundësitë që të orientohen në mjekësinë primare sepse e kanë mundësinë e përfitimit nga ky certifikim.
Edhe koordinatori i qendrës trajnuese në kuadër të QKMF-së, Afrim Rexhepi, ka thënë se qendra e Ferizajt është pjesë e qendrës të zhvillimit të mjekësisë familjare dhe sy ky sukses duhet ndahet me të gjithë e në veçanti me Drejtorinë e Shëndetësisë, si bartëse e mjekësisë primare të komunës."Ky sukses lidhet me një punë të madhe që është bërë, për një mund, por që më në fund u realizue me akreditimin e programi specialistik për mjekësinë familjare. Ky është një sukses jo vetëm për komunën e Ferizajt por për mbarë Kosovën duke e ditur se është programi i vetëm i specializimit që është akredituar në nivelin ndërkombëtar. Me kuadrot e specializuar rritet nivelin i shërbimit dhe kualiteti i tij, kështu që përfitues është qytetari i ynë", ka nënvizuar dr.Afrim Rexhepi.
Detaje të këtij procesi ka dhënë doktoresha Drita Lumi-Demiri, duke thënë se në kuadër të QKMF-së, ekziston edhe qendra edukativo-arsimore, apo thënë ndryshe qendra trajnuese e mjekësisë familjare. Sipas saj sikurse çdo specializim tjetër edhe specializimi i mjekësisë familjare e ka kurikulën e vet, plan-programin mësimor i cili ka shkuar duke u avancuar gjithnjë.
"Ky është një sistem unik arsimor tre vjeçar për krejt Kosovën dhe një nga ato qendra trajnuese është edhe qendra trajnuese e Ferizajt. Këtu punon tre mentor klinik të cilët i kanë nga dy apo tre kandidat, mjekë familjarë. Aktualisht i kemi tre mjek familjarë dhe secili mentor klinike ka nga një kandidat,kjo është një përparësi sepse tek këta kandidat bartët ne radhë të parë përvoja e mjekëve, bartet kurikula mësimore e cila është model britanik i adaptuar sipas specifikave dhe nevojave tona", ka shpjeguar dr. Drita Lumi-Demiri.
Ndryshe, u bë e ditur se në Qendrën e Zhvillimit të Mjekësisë Familjare pas këtij certifikimi mund të vijnë dhe të certifikohen edhe mjek nga regjioni i ballkanit, ndërsa përfituesit kryesor nga i tërë ky program janë pacientët, ngase marrin shërbime kualitative nga një personel i kualifikuar.
Autoritetet e mjekësisë primare të Ferizajt e kanë vlerësuar lartë certifikimin e mjekësisë primare që është bërë nga Kolegji Mbretëror i Anglisë.