Ndonëse ishte paraparë që fillimisht të debatohej rishikimi i buxhetit për këtë vit, debati mori kahje tjetër menjëherë pasi kuvendi me shumicë votash miratoi një propozim, që fillimisht të shqyrtohen pyetjet dhe kërkesat e këshilltarëve komunal. Problemet e ndryshme infrastrukturore, kërkesat për projekte të ujit, trotuareve, asfaltimeve si dhe një mori problemesh tjera ishin në fokus të këtyre kërkesave.
Një problem që u shtrua në kuvend e që mori përgjigje edhe nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ishte çështja e kërkesës për vendosjen e lapidarëve të dy dëshmorëve, Ahmet Hoxha e Ramadan Rexhepi-Adidasi, në zonën e parkut të qytetit prapa postes. Ndonëse komiteti këtë çështje nuk e kishte futur fare në rend të ditës nën arsyetimin se pa një pëlqim të dy këshillave organizativ nuk do të ketë debat për këtë çështje, debatin e nxiti këshilltari i LDK-së, Avdulla Hoxha, i vëllai i dëshmorit Ahmet Hoxha, i cili në fjalën e tij kërkoi që lidhur me këtë çështje institucionet duhet të marrin vendim ngase edhe e kanë mandatin, e jo familjet apo shoqatat e luftës.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafiz Sejdiu, i cili theksoi se nuk qëndrojnë konstatimet se dëshmorët kështu po ndahen, por bëri të ditur se në adresë të OVL-së ka pasur vetëm një kërkesë nga këshilli organizativ për ngritjen e lapidarit të dëshmorit Ramadan Rexhepi-Adidasi, e jo dy kërkesa siç po thuhet këtu.
Në fjalën e tij, kryetari i Ferizajt, Muaharrem Svarqa, vuri në dukje se komuna do të bëjë përpjekje që të gjejë mënyrën se si kjo kërkesë të inkorporohet në planin e qytetit.
"Këta dy dëshmorë janë sakrifikuar për lirinë e vendit. Gatishmëria për lartësimin e këtyre dy figurave ekziston edhe në këtë kuvend. Ne do të kërkojmë vend të përshtatshme që të vendosen këta dy lapidarë në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të përkule para veprës së tyre", theksoi Svarqa.
Gjatë fjalës së tij, i pari i Ferizajt, u përgjigj edhe në shumë pyetje të ngritura nga këshilltarët komunal, ndërsa përmendi edhe disa projekte me rëndësi që do të realizohen në komunën e Ferizajt. Më pastaj kuvendi vazhdoi me pikat tjera të rendit të ditës, të cilat kishin të bënin me plotësimin e komiteteve me anëtarë nga subjektet politike si dhe miratoi shumë propozime të dala. Gjatë pasdites kuvendi shqyrtoi rishikimin e buxhetit të komunës për këtë vit.
Po në këtë mbledhje me 20 vota për ,7 kundër dhe 2 apstenime është miratuar edhe rishikimi i buxhetit për vitin 2015.
Drejtoresha e financave Lirije Syla, para asamblistëve ka theksuar se rishikimi i buxhetit është bërë kryesisht ne investimet kapitale, për shkak të asaj se në bazë të instruksioneve të dhëna nga ministria e financave, ndryshime në katgori të tjera nuk mund të bëhet.
Deputete e pozitës dhe opozitës kanë paraqitur edhe vërejtjet e tyre, por edhe kanë pasur lëvdata rreth rishikimit të buxhetit të vitit 2015.
Po në këtë mbledhje pas një debati të gjerë është miratuar edhe rregullorja për të hyrat vetanke të komunës së Ferizajt. Po ashtu janë diskutuar edhe shumë pika të tjera të rëndit të ditës.
Këshilltarët e Kuvendit komunal të Ferizajt në seancën e rregullt të kuvendit kanë adresuar një mori pyetjesh në adresë të ekzekutivit e që kryesisht në fokus kishin problemet e ndryshme të zonave prej nga ata vijnë.