Bazuar në shifrat që ka prezantuar të mërkurën Drejtoria për Financa dhe Buxhet, shihet se inkasimi i të hyrave vetanake nga tatimi në pronë ka shënuar rritje, ndërsa u bë e ditur se edhe shpenzimet e buxhetit sillen në nivelin e planifikuar. Drejtoresha e Financave, Lirije Syla, gjatë një paraqitje publike ka thënë se në muajin qershor vetëm nga tatimi në pronë janë grumbulluar 200 mijë e 700 euro shumë kjo që krahasuar me periudhën e njëjte të vitit të kaluar është më e lartë për mbi 50 mijë euro. Drejtoresha Syla, ka thënë se vendimi i qeverisë së Kosovës për faljen e borgjeve fillimisht ka ndikuar në trendin e inkasimit të mjeteve vetanake.
"Edhe përkundër kësaj e kemi një zhvillim të mirë, këtë më së miri e tregon inkasimi i të hyrave gjatë muajit qershor,qytetarët iu kanë përgjigjur mirë obligimeve që i kanë ndaj tatimit në pronë", ka thënë Syla, duke iu referuara shifrave që kanë të bëjnë me shpenzimin e buxhetit, e para kësaj drejtorie Lirije Syla, ka thënë se ecuria e shpenzimit të buxhetit në të gjitha pozicionet arrinë shkallën e 44 përqindëshit.
"Buxheti i Ferizajt sillet mbi 25 milion euro dhe shpenzimi i tij në të gjitha pozicionet arrin masën e 44 %, kjo do të thotë se kemi pasur një ecuri të mirë të shpenzimeve buxhetore.
Këtu duhet theksuar se kujdes i veçantë i kushtohet shpenzimit të buxhetit nga granti qeveritar ku sipas shifrave del se 48.21 % e këtij buxheti është shpenzuar", ka thënë drejtoresha Syla .
Për më tepër duke iu referuar të gjeturave të raportit të auditorit të jashtëm dhe zërave se aty janë specifikuara edhe disa rekomandime që flasin për shkelje, drejtoresha e financave, Lirije Syla, ka thënë se në bazë të raportit shihet se nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkeljesh dhe se opinioni i tij është shumë i mirë për pasqyrat financiare të cilat janë të përgatitura në bazë të kornizës financiare.
"Opinioni i raportit është i pa modifikuar me theksim çështjesh, kjo lë me kuptuar se nuk ka pasur keqpërdorim e as keqmenaxhim të mjeteve financiare, ngase ndryshe me siguri do të ishte një përgjithësi e madhe dhe dikush duhej të shkonte në përgjegjësi" ka thënë Syla, për të shtuar se në kuadër të atyre 17 rekomandimeve disa sosh janë të përsëritura siç është rasti me regjistrimin e pasurisë.
Zyrtarët komunal i kanë bërë thirrje edhe shoqërisë civile që raportin e auditorit ta studiojnë mirë para se të dilet me qëndrime ngase ai është pozitiv dhe nuk ka vend për shqetësime.
Brenda periudhës gjashtë mujore të këtij viti komuna e Ferizajt ia ka dalë t’i përmbushë të gjitha parashikimet e planifikuara buxhetore.