Programi i subvencionimit të pagave është bërë publik, sot edhe në Ferizaj nga ana e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies sociale Arban Abrashi. Ai në një vizitë që i bëri sot komunës së Ferizajt ku u prit nga kryetari i komunës Muharrem Svarqa, tha se ka afat deri në fund të muajit që bizneset e interesuara të aplikojnë për të përfituar nga ky program.
“Biseduam për subvencionimin e pagave dhe së bashku me kryetarin do të ndërmarrim hapa që bizneset e Ferizajt të njoftohen me këtë skemë që është aktuale dhe afati i aplikimit është deri në fund të muajit, ku qeveria merr për sipër pagesën 50 për qind të pagës për punëtorët e rinj nëpër biznese të ndryshme sipas sektorëve”, ka thënë ministri Abrashi.
U tha që kjo Ministri do të subvencionojë gjysmën e pagës për 6 muaj për të gjithë ata punëtorë që punësohen pas aplikimit. Nuk u saktësua ndonjë numër i bizneseve e as i të punësuarve që do të përfitojnë.
Ndërkaq nga ana e komunës së Ferizajt u premtua nga angazhim i shtuar për të qenë urë lidhëse në mes institucioneve qendrore në mënyrë që rezultatet të jenë sa më pozitive dhe të ketë sa më shumë të punësuar.
“Angazhimi i Komunës për subenvcionet në asnjë mënyrë nuk do të mungojë, ne i kemi dhënë të gjitha autorizimet Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ata po merren me identifikimin e bizneseve që janë të interesuara të konkurrojnë në këtë skene, ku përveç bizneseve do të përfitojë edhe një numër i të punësuarave “, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se kanë diskutuar edhe shumë çështje të tjera sa i përket punësimeve për ferizajasit.
Në takimin e sotëm diskutua edhe mbështetja sociale sa i përket strehimit të familjeve në nevojë. Edhe pse me një shkurtim prej 2 milion e gjysmë eurosh që pësoi kjo Ministri nga rishikimi i buxhetit, u premtua një ndihmë e konsiderueshme në bazë të nevojave që do të paraqiten.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa këtë të mërkurë ka pritur në një takim Ministrinë e Punës së Mirëqenies Sociale Arban Abrashin i cili ishte së bashku me bashkëpunëtorët e tij.