Mësohet se rasti ka ndodhur në orët e hershme të së hënës në fshatin Greme të Ferizajt, te vendburimi i ujit në lagjen e Berishëve, ndërsa një ditë pas këtij rasti zyrtarët komunal nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari kanë thënë se nëse nuk ndërmerren masa dhe nëse nuk ka një bashkëpunim me policinë, atëherë pyjet e rajonit të Ferizajt do të lihen në mëshirën e fatit. Fillimisht drejtori i DBP-së Xhemajl Reçica, gjatë një konference për medie ka përshkruar situatën në të cilën janë ndodhur punëtoret e tij, duke drejtuar akuza edhe në adresë të policisë siç tha për mos bashkëpunim me institucionet në këtë rast. Bile ai ka shkuar edhe më larg duke thënë se reagimi i ngathët i policisë ngre dyshimin e bashkëpunimit të ndonjë pjesëtari të policisë siç tha me grupin e dëmtuesve. " Kanë qenë tre roje dhe tekniku, të cilët gjatë punëve rutinë, patrullimit me veturë zyrtare kanë hasur në hajdutë, dëmtues të pyjeve. Ka pasur informata se janë tre traktorë me drunj në malet e Burrnikut dhe roja i ka ndaluar. Gjatë marrjes së informatave ka filluar kacafytja e përcjell me sharje", ka përshkruar ngjarjen drejtori Reçica, duke thënë se ka pasur sulm me sharrë dhe se nga 5-10 minuta ka vazhduar kacafytja, ndërsa nga dritat e ndezura të veturës janë parë të vinë një grup tjetër, duke bërë që rojat të ikin nga vendi i ngjarjes, por që janë penguar sepse i kanë bllokuar rrugën dhe ka pasur gjuajtje me gurë dhe gjësende tjera, por që ia ka dalë të largohet. Por, pas kësaj ka pasur edhe dy kacafytje tjera dhe dy policët që kanë mbërritur për asistencë nuk kanë thirrur përforcime.
Drejtori Reçica ka theksuar se pas njoftimit me ngjarjen menjëherë ka shkuar në Emergjencë për të parë nga afër situatën, por edhe aty ka pasur kacafytje mes qytetarëve, një grupi të organizuar që besohet se kanë qenë 30 veta dhe pylltarëve dhe në një moment ka telefonuar policinë, anise ka qenë i penguar nga njëri prej policëve prezent.
"Tash po dëgjoj se ai polic po më akuzon mua për pengim të personit zyrtar. Pas kacafytjeve në Emergjencë ka ndodhur çudia më e madhe. Në vend se t’i prangosin dëmtuesit, i kanë prangosur punëtorët e komunës, rojat e pyllit me arsyetim se po pengojnë në kryerjen e detyrave. Tash nuk po kuptoj kush është viktima, punëtorët apo keqbërësit. Derisa prangoset roja e pyjeve, nuk di pse ne i ruajmë këto pyje", ka thënë Reçica.
Duke folur për dëmet, Reçica ka thënë se ato janë të shumta, vetura zyrtare e dëmtuar nga gurët e hedhur, drunjtë industrial të shumtë të prerë që përfundojnë në sharra.
"Me kryetarin ka biseduar dhe kam ardhur në përfundim se nëse punohet kështu, unë nuk mund ta rrezikojë punëtorët. Pyjet nuk janë të miat, por janë të gjithë neve dhe këto duhet t’i ruajnë të gjithë. Derisa policia nuk merr masat, ne pyjet nuk mund t’i ruajmë", ka thënë drejtori Reçica.
Policia e Kosovës ka dhënë versionin e saj lidhur me rastin Zëvendësdrejtori rajonal i policisë, majori Basri Shabani ka thënë se pas kërkesës nga rojat e pyllit për asistencë, policia u është përgjigjur dhe ka shkuar në vendin e ngjarjes, kanë marrë automjetin e pylltarëve dhe i kanë sjellur këta për trajtim në Emergjencë.
"Por në Emergjencë kanë qenë edhe të dyshuarit për vjedhje të pyllit, të cilët kanë qenë të lënduar, sipas tyre nga rrahja prej pylltarëve. Edhe ka ndodhur rrahje dhe policia ka shtuar një patrullë tjetër dhe me 4 hetues me rroba civile e kanë trajtuar rastin. Hetuesia e Stacionit Policor të Ferizajt është duke e hetuar rastin, kompletuar rastin në konsultim me prokurorin kompetent për të dërguar në gjykatën kompetente", ka thënë major Shabani, ndërsa ka bërë me dije se atë ditë janë shoqëruar në stacion të dyshuarit dhe zyrtarët e pyjeve.
Zyrtari policor kanë dhënë edhe raportet e policëve dhe qendrës operative që tregojnë se kur patrullat i janë përgjigjur kërkesës nga pylltarët dhe sa kanë qenë ato.
"Kanë qenë tri patrulla me nga dy policë dhe 4 hetues dhe eprori kujdestar që ka dalë në Emergjencë. Nuk kanë qenë vetëm dy policë, siç është thënë", ka shpjeguar Shabani.
Lidhur me përfshirjen e mundshme të zyrtarëve policorë në këso ngjarje, major Shabani u ka bërë thirrje gjithë atyre që janë në dijeni dhe kanë fakte për përfshirje të tyre, t’i raportojnë këto tek autoritetet pa asnjë ngurrim, ndonëse siç tha, gjer më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë që lidhet me pylltarinë. Ndërsa ka folur për një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e pushtetit lokal të Ferizajt dhe se i njëjti do të vazhdoj ashtu siç e parasheh ligji dhe etika policore dhe se në raste të shumta policia ka asistuar në punën e pylltarëve në terren.
Ndryshe, policia ka bërë të ditur se ndaj katër të dyshuarve dhe dy pylltarëve pas kompletimit të lëndës do të ushtroi kallëzim penal në prokurorinë e shtetit.
Një grup qytetarësh, dëmtues të pyjeve nga Ferizaj kanë sulmuar rojat e pyllit duke u shkaktuar edhe lëndime trupore.