Mbledhja u ndërpre derisa po shqyrtohej pika 8 e rendit të ditës “Propozimvendim për shfuqizimin e vendimit 01, nr. 300 të datës 29.8.2014”.
Bëhet fjalë për vendimin që kishte marrë kuvendi një vit më parë për formimin e një komisioni për dhënien e banesave me qira. Sipas kryesuesit të kuvendit, vendimi i atëhershëm duhet të shfuqizohet, pasi rregullorja për dhënien e banesave, nuk është në harmoni me udhëzimin administrativ dhe me ligjin që e rregullon këtë fushë.
Anëtarët e kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës këmbëngulën që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, që ndërkohë të ndryshohet rregullorja dhe pastaj çështja të procedohet më tej. Duke mos dashur të jetë pjesë e votimit për shfuqizimin e vendimit të një viti më parë, kuvendarët e PDK-së dhe ndonjë tjetër, e braktisën sallën e kuvendit, duke shkaktuar mungesë kuorumi. Në këtë situatë kryesuesi dha gjysmë ore pushim, por as pas një ore, shumica e kuvendarëve nuk u kthyen në sallë. Kryesuesi Faruk Guri tha se ndërpritet mbledhja e sotme, për të vazhduar nesër në ora 10.00
Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt u ndërpre sot pasdite, pasi nuk pati kuorum për procedimin e të gjitha pikave të rendit të ditës.