Në turin e tij konsultativ, të nisur dje pasdite, kryetari Svarqa, në dy takime të ndara, ka takuar banorët e dy zonave të qytetit , të cilëve edhe u ka bërë të ditur detaje që lidhen me planifikimet buxhetore. Svarqa ka vë në dukje se projeksionet buxhetore për vitin e ardhshëm do të shënojnë rritje në kategorinë e shërbimeve, mallrave dhe komunalive, ndërsa ka folur për ulje të investimeve kapitale,por që nuk do të rrezikojnë projektet e paraparë ngase një pjesë e tyre do të realizohen nga mjetet e qeverisë. Svarqa, ka folur edhe për rritjen e të hyrave vetanake, për shpërndarjen proporcionale të investimeve, për cilësinë e projekteve duke thënë për këto të fundit se po punohet në vendosjen e standardeve më të larta. Në anë tjetër qytetarët kanë adresuar kërkesa të ndryshme që lidhen me investimet në fushën e infrastrukturës.
Fillimisht kreu i Ferizajt,Muharrem Svarqa, ka thënë se hendikepeve që janë shfaqur gjatë këtij viti po ju vije fundi për shkak të rritjes së pozicionit të mallrave dhe shërbimeve si dhe komunalive ngase investimet kapitale të bëra në shumë fusha si në kanalizime, ujësjellës dhe ndriçime kërkojnë obligime shtesë dhe shuma më të mëdha materiale për mirëmbajtjen e tyre.
" Në kuadër të këtyre investimeve vetëm në fushën e ndriçimeve kemi mbi 70 kilometra ndriçime të cilat kanë kërkuar që të rriten edhe shpenzimet e komunalive të cilat për buxhetin e vitit 2016 parashihet që të jenë 2. 746 828 euro në mallra dhe shërbime dhe mbi 400 mijë euro në shërbime komunale”, ka thënë Svarqa, teksa ka përmendur edhe disa problem që janë paraqitur me zvogëlimin e shumës së subvencioneve dhe transfereve.
“Për ne është anakronike që përkundër kushteve që ofron komuna e Ferizajt në sferën e bujqësisë janë mundësitë shumë të limituar edhe pse ne kemi pasur premtime edhe elektorale të cilat tani jemi të kushtëzuar t’i reduktojmë, por që jemi duke punuar që në të ardhmen nëpërmjet subvencionimit të kamatave të nxisim dhënjën e kredive për agrobizneset" ka thënë Svarqa, për të shtuar se kështu synohet që krijohen politika të favorshme për bizneset ngase kështu zvogëlohen normat e interesit dhe shtohet konkurrenca.
"Kështu do të subvencionohen ata fermerë që do ta shtojnë prodhimtarinë e produkteve dhe mallrave ushqimore që i dedikohen edhe konsumit dhe shitjes në treg ka shtuar Svarqa.
Për më tepër i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, duke iu referuar investimeve kapitale ka bërë të ditur se do të ketë një ulje të ndjeshme të këtyre investimeve sepse është përmirësuar disproporcioni që lidhet në mes mallrave, shërbimeve dhe komunalive, natyrisht duke qenë të obliguar që t’i zvoglojmë investimet kapitale.
"Por me investimet kapitale ne do të jemi në favor në raport edhe me vitin paraparak edhe këtë vit për shkak se kemi konkurruar me 26 projekte infrastrukturore në Ministrinë e Infrastrukturës dhe kemi premtime do të bëhen investime të shumta. Vetëm në investimet rrugore kemi premtime që do të investohen 5 deri 6 milion që do të parashihen në buxhetin e vitit të ardhshëm" ka nënvizuar Svarqa.
Investimet kapitale në masë të madhe varen nga të hyrat vetanake të komunës, për të cilat kryetari Svarqa ka thënë se do të rriten dhe se këto mjete qytetarëve do tu kthehen në formë të investimeve."Do t’i rritemi këto jo që dëshirojmë por që parakushtet tregojnë se e kemi këtë mundësi që t’i rrisim të hyrat vetanake sepse dy komponentë janë kryesore që na mundësojnë që të vijmë te ky konstatim. E para, për shkak se fillojmë me legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe e dyta, sepse kemi filluar aplikimin e taksave për bizneset dobiprurëse që nënkupton që disa biznese siç janë lojërat e fatit dhe institucionet tjera do t’i nënshtrohen pagesës së taksës përmes së cilave ne synojmë që të kemi një rritje të të hyrave" ka thënë Svarqa.
Ndryshe, kreu i ekzekutivit të Ferizajt është shprehur i kënaqur edhe me shpërndarjen e investimeve në mënyrë të barabartë. Sipas Svarqës, në fshatra ka pasur më shumë investime dhe se ato janë bërë me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës aty.”Nuk ka asnjë vend ku nuk është shtri dora e pushtetit, me përjashtim të zonës së fshatrave Tërrn-Lubovc-Koshare që do të jenë pjesë e këtij buxheti”, ka shtuar Svarqa.
Dialogimi me banorët e zonës së parë në Shkollën Fillore “Ahmet Hoxha”, ka nxjerrë nevojat për të pasur sa më shumë rrugë të asfaltuara, kanalizime, ujësjellës, ndriçime publike,shtigje për biçiklistë, hapësira të gjelbërta, projekte shkollore, ambient të pastërt, siguri, fasadime etj.
Projektbuxheti për vitin 2016 ka nxjerr në teren kryetarin e Ferizajt,Muharrem Svarqa, i cili në dialogim me qytetarët po identifikon nevojat dhe prioritetet, të cilat do të bëhen pjesë e skemës buxhetore për vitin e ardhshëm.