Detajet për buxhetin e vitit 2016 i dha kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri, i cili tha se ai do të jetë mbi 25 milion euro .
Buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2016 është diskutuar sot për herë të fundit me qytetarët në një diskutim publik pak para se të marrë formën e një dokumenti final në mbledhjen e Kuvendit në fundit të muajit. Sërish dominuan kërkesat e qytetarëve për ujë , kanalizim e rrugë më të mira në qytet e në fshatra. Ndërkaq banorët e fshatrave nga fshati i Vjetër, Bibaj, Sojevë Dardani e Zllatar u shprehën të shqetësuar se punët për ujësjellësin në fshatrat tyre ende nuk po fillojnë ndërsa sa i përket ujit të pijes edhe banorë të fshatrave të tjera u ankuan për sisteme jo funksionale të ujësjellësve.
Nga ana tjetër zyrtarë të pushtetit lokal thanë se janë të vetëdijshëm për nevojat e shumta por edhe investimet për vitin e ardhshëm do të jenë mjaft të kufizuara në një kornizë prej 7 milionë eurosh. Drejtori për Infrastrukturë shpjegoi veq e veq se çka mund të bëhet për secilën nevojë.
Banorë të lokaliteteve të ndryshme u interesuan nëse janë paraparë mjete për shpronësim në buxhetin e vitit të ardhshëm por sipas zyrtarëve komunal për secilin projekt duhet të ketë një përshkrim të detajuar për të realizuar shpronësimin.
Qytetarët ferizajas edhe në këtë tubim u shprehën të shqetësuar edhe me rënien e të hyrave vetjake gjatë vitit 2015 në komunën e Ferizajt, ndërsa zyrtarët komunal u shpjeguan se vendimi i qeverisë për falje të borgjeve ka ndikuar që inkasimi i këtyre mjeteve të shënojë një rënie por me premtimet që janë dhënë nga niveli qendror pritet një gjendje më stabile për vitin 2016.
Këtë të martë kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri organizoi diskutim publik për buxhetin e vitit 2016.