
Me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili theksoi se është tejet i kënaqur me këtë vizitë që po bëjnë këta nxënës së bashku me mësimdhënësit tyre.
“Unë pak a shumë jam në dijeni të itinerarit që ju keni kaluar gjatë ekskursionit tuaj, për të ardhur së fundi këtu në Ferizaj, në përfundim të vizitave të shumta që keni bërë. Shpresoj se ia keni dalë të realizoni synimet tuaja, për të njohur më mirë viset e prejardhjes suaj, të njiheni më mirë me gjeografinë e vendlindjes së prindërve ose të të parëve tuaj, me historinë dhe me monumentet e kulturës në anët tona. Dëshiroj t’ju them disa fjalë për Ferizajn, të cilin ju e keni vizituar sot. Është një komunë me rreth 110 mijë banorë, gjysma e të cilëve jetojnë në qytet e gjysma në 45 fshatra. Ferizaj ka rreth 35 mijë nxënës e studentë, që nga klasat parashkollore e deri në universitet. Mbi 30 mijë nxënës ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në gjimnaze dhe në shkolla profesionale, me të cilët punojnë mbi 2 mijë punëtorë arsimi. Tashmë kemi hapësirë gjithnjë e më të mirë shkollore dhe po bëjmë përpjekje për të siguruar sa më shumë mjete konkretizimi, në mënyrë që ta zhvillojmë një arsimim sa më modern. Prej sivjet, edhe Ferizaj është bërë me universitet publik, me Universitetin e Shkencave Teknike të Aplikuar, ndërkohë që në këtë qytet veprojnë edhe disa fakultete e kolegje private. Ferizaj, është i njohur me Bifurkacionin e Nerodimes, një fenomen ky që ndan ujërat në dy rrjedha, të cilat nuk takohen më derisa derdhen, njëra në Detin e Zi, e tjetra, në Detin Egje”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërkaq drejtoresha e shkollës ‘Jerondim de Rada”, Servete Hajrullahu ka thënë se kjo është hera e trete që po i presin nxënësit në kuadër të këtij projekti.
“Në kuadër të këtij projekti po shkëmbehen përvoja mes nxënësve dhe mësimdhënësve nga shkollat tona dhe atyre në Gjermani” tha Servete Hajrullahu.
Për qëllimin e këtyre vizitave u shpreh i kënaqur edhe njëri nga organizatorët e shkollës shqipe në gjermani Kemajl Çallaku i cili foli për qëllimin dhe objektivat e këtyre vizitave.
Me këtë rast për të pranishmit u shfaq edhe një program kulturo artistik nga nxënësit ë shkollës "Jeronim de Rada " dhe nxënësve nga Gjermania.
Nxënësit e shkollës “Jeronim de Rada” përgatitën një program të pasur kulturo-artistik për shokët e tyre nga shkolla të ndryshme të Gjermanisë.