Kjo është bërë e ditur pas një takimi që kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, pati me ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski. Pas takimit para medieve u prononcua vetëm kryetari Svarqa, i cili vuri në dukje se shumë shpejtë do të formohen grupe të pune të cilat do t’i identifikojnë fushat e bashkëpunimit ndërkomunal. Këtu në radhë të parë është folur për bashkëpunimin ekonomik, kulturor, ambientalist pa lënë anash edhe bashkëpunimin në nivelin e shkëmbimi të ambasadorëve të nderit.
"Folëm edhe për gjetjen e pikave të bashkëpunimit në mënyrë që të organizojmë grupe pune të cilat do të identifikojnë fushat e bashkëpunimit ndërkomunal. Në bazë të asaj që biseduam, konkluduam se mund të bashkëpunojmë në fushën e kulturës, ekonomisë, në shkëmbimin e përfaqësive të përbashkëta si dhe ambasadave të nderit që ishte edhe disponim i ambasadorit të Maqedonisë, por edhe në fushat të tjera si në ruajtjen e ambientit në pikëpamje ekologjike, në fushën e trajtimit të ujërave, sidomos në rregullimin e shtratit të lumit Nerodime, degës së bifurkacionit që shkon në lumin Vardar, si dhe thithjen e investimeve ngase ka investitor maqedonë që ushtrojnë veprimtarinë në komunën e Ferizajt", ka thënë Svarqa, duke përmendur edhe përparësitë që i ka Ferizaj, krahasuar me komunat e tjera të Kosovës.
"E para ngase kufizohet me Maqedoninë dhe ka një bashkëpunim shumë cilësor në të gjitha fushat, ekonomike, tregtare dhe kulturore. Duke pasur parasysh këto por edhe marrëdhëniet që po zhvillohen edhe në fushën e arsimit, të kulturës por edhe ato të marrëdhënieve familjare të lidhjeve historike etj, ndërsa është folur edhe për projektet e përbashkëta të BE-së si dhe për zonat e lira ekonomike", ka nënvizuar Svarqa.
Kryetari i Ferizajt , Muharrem Svarqa, me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin Strashevski për votën pro që shteti i tij i dha Kosovës me rastin e votimit për pranimin e saj në UNESCO, ndërsa i ka ndarë edhe një mirënjohje dhe një gravur të qytetit të Ferizajt në shenjë falënderimi për bashkëpunimin reciprok.
Komuna e Ferizajt është e interesuar që të rris bashkëpunimin ndërkomunal me komunat e Republikës së Maqedonisë.