Ky aksion ka filluar në rrugën “Fatmir Kerqeli” në Ferizaj, me rrënimin e disa mureve të shtëpive që ishin të ndërtuara në pronën komunale.
Ditë më parë Inspektorati komunal së bashku me Drejtorinë e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit u kishin dorëzuar vendimet për rrënim, ndërsa këto të fundit nuk ishin respektuar nga ana e disa qytetarëve.
Ekzekutimi i vendimeve u kry sot në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës. I pranishëm ishte edhe kreu komunal , Muharrem Svarqa, i cili tha se rruga “Fatmir Kerqeli" në kuadër të investimeve kapitale është dashur të asfaltohet, por këtu kanë qenë pengesë banorët e kësaj rruge, për shkak se ka pasur mungesë të definimit të pronave publike dhe atyre private, dhe kjo çështje është zvarritur deri më sot.
“Drejtoria e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, ka bërë shënimin e pikave të cilat i takojnë pronës komunale dhe në të njëjtën kohë inspektorët kanë kryer pjesën e vet të punës duke shpërndarë vendimet për lirimin e hapësirave publike edhe pse banorët kanë hezituar ta bëjnë një gjë të tillë sepse kanë menduar se komuna nuk do të intervenojë në këtë mënyrë, por ne jemi të vendosur që këtë çështje ta kryejmë edhe në këtë formë”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se do të ekzekutohen 8 vendime që kanë të bëjnë me rrënimin e objekteve përcjellëse që janë të ndërtuara në pasurinë publike.
“Më pas për t’i lënë hapësirë ndërtimit të kësaj rrugë e cila është tejet e rëndësishme për lidhjen e rrugëve tjera me banorët e kësaj ane, pavarësisht se kjo rrugë është lënë në harresë me vite të tëra. Ne me këtë rast i falënderojmë edhe Policinë e Kosovës,që po tregojmë fuqinë edhe të shtetit”, tha Svarqa.
Nga ana tjetër kishte qytetarë të cilët nuk deshën të prononcohen për këtë çështje pas rrënimit të mureve të shtëpive, por kishte edhe nga ata që me marrjen e vendimit ata vet kishin bërë lirimin e hapësirave publike. “Kam prishur murin sepse e kam pasur në pronë publike. Ne atë mure e kemi pasur qysh para 50 viteve dhe nuk e kemi ditur se ka qenë pronë publike, por me marrjen e vendimit të Komunës unë vet e kamë rrënuar murin”, tha Ferat Mehmeti.
Ndryshe, u bë e ditur se edhe objekteve hotelire në qendër të qytetit nuk do t’ju lejohet që këtë vit t’i shfrytëzojnë verandat e tyre nëpër hapësirat publike dhe e gjithë kjo u tha se po bëhet me qëllim të vetëm që qytetarëve t’ju krijohen hapësira të lira për qarkullim. Aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Në Ferizaj, ka filluar aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara në pronën komunale.