Në këtë turne po marrin pjesë 4 ekipe: ekipi "Shutova" nga Kërçova, "Farka Voley" nga Tirana, "Flaka" nga Presheva dhe ekipi Lubeteni nga Ferizaj.
Ky aktivitet u organizua më rastin e festës së 28 nëntorit-Ditës së Flamurit. Hapjen e këtij turneu e bëri kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.
Me këtë rast Svarqa u shpreh se është një kënaqësi e madhe që në një ditë bashkimi, siç është 28 Nëntori, jemi kështu të bashkuar.
“ E mira do të ishte të jemi sa më të bashkuar në të gjitha fushat e jetës, por është mirë që po prijnë arsimi, kultura dhe sporti. Evropa që e njohim ne, tashmë ka bërë rrugë të mirë drejt integrimit, sepse evropianët, si popuj më të vjetër, e kanë kuptuar me kohë që bashkimi i tregjeve, i ideve dhe i energjive, sjell të mira të përbashkëta. Përkundrazi, ndarjet dhe izolimet, sjellin veç zvetënime, degradime dhe humbje. Sportistët prej kohësh konsiderohen ambasadorë të vendeve të tyre. Ata gjithmonë kanë përçuar idenë e paqes e të bashkëpunimit, frymën garuese dhe lojën e ndershme. Sikur kjo frymë të përçohej edhe në fushat tjera të jetës, ne do t’i kishim punët shumë më mirë”, ka thënë kryetari Svarqa, duke theksuar se duhet të jemi jashtëzakonisht të lumtur që jetojmë në një kohë kur janë hequr pengesat e komunikimit e të ndërveprimit të gjithanshëm, përfshirë edhe bashkëpunimin sportiv.
“Vetëm para pak dekadash, ne nuk guxonim as të festonim, as të përmendnim Ditën e Flamurit. Tani që e kemi mundësinë e punës dhe realizimin e projekteve të përbashkëta edhe në fushën e sportit, duhet t’i kthehemi përkushtimit dhe përpjekjeve për angazhim të vazhdueshëm, në mënyrë që ta kompensojmë disi kohën e humbur. Besoj se sporti është një fushë e përshtatshme, ku mund të bëjmë aranzhmane të përbashkëta, për ta rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë, në mënyrë që të arrijmë trendet evropiane e botërore. Ky organizim, është një shembull i mirë i këtij synimi”, ka përfunduar Svarqa.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i federatës së volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi.
Ky turne u organizua nga Komuna e Ferizajt.
Të enjten në Ferizajt filloi turneu mbarëkombëtar në volejboll në konkurrencën e meshkujve.