Fituese e festivalit “Kosovarja këndon” Albulena Misini
28/11/2015 00:00
Në një konkurrencë prej 13 solisteve, juria profesionale në përbërje, Fahri Beqiri, Sami Piraj dhe Lindita Isufi, vendin e dytë i ndanë këngëtares nga Ferizaj Diellza Zenunit, për interpretimin e këngës“Unë biri yt Kosovë”, vendin e trete Diellza Zymberi
“Kënga arbëreshe’’ nga Gjilani, çmimi tradicional "Nexhmije Pagarusha" iu nda këngëtares ferizajase, Kadrie Karaliti, ndërsa, çmimi i mediave që e ndanë Klubi i Gazetarëve “Haki Braha" iu nda këngëtares Yllka Frangu nga Ferizaj me këngën ”Bishtalecat palë palë”.
Hapjën e festivalit “Kosovarja këndon”, e bëri kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili theksoi se një festival i këngës në Ditën e Flamurit, e ka simbolikën e vet domethënëse, që i referohet një fakti të njohur të traditës sonë: faktit që kënga e ka shoqëruar shqiptarin në festat e pakta, e në ngushticat e shumta, duke qenë pjesë e pandashme e jetës së tij, edhe atëherë kur e kishte më së vështiri.
“Nëse kemi kënduar përgjatë shekujve në festa e në vuajtje, atëherë sot kemi arsye të shumëfishtë të këndojmë me zë edhe më të fuqishëm. Sepse shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë, më afër njëri-tjetrit dhe me mundësi më të mëdha për ta shfaqur mundësitë e tyre krijuese. Ky çlirim, nuk ka të bëjë vetëm me heqjen qafe të të huajve, që na kanë shtypur e terrorizuar tepër gjatë. Ka të bëjë edhe me çlirimin nga mendësia totalitare, e cila e kishte robëruar artin dhe kulturën tonë për dekada me radhë. Sot, arti, kultura, sporti, idetë, mallrat dhe njerëzit, qarkullojnë më lirshëm se kurrë. Në këtë komunikim intensiv të paparë, populli shqiptar e ka shansin që nuk e ka pasur kurrë më parë që të këmbejë e të konsolidojë, përveç të tjerash, edhe vlerat e veta kulturore e arsimore. Kjo është një arsye më shumë që të festojmë e të jemi të gëzuar”, ka thënë kryetari Svarqa, duke vlerësuar se “Kosovarja këndon” është një festival që ka ndjekur rrugëtimin tonë jo vetëm muzikor, përgjatë gati pesë dekadave. Ka ndjekur sidomos rrugëtimin e femrës shqiptare të Kosovës, duke u bërë një tregues i përparimit dhe emancipimit të saj hap pas hapi.
“Sot ky festival natyrisht se ka objektiva të tjerë, që kapërcejnë përpjekjet për barazi gjinore të femrës kosovare. Para këtij festivali qëndrojnë objektiva artistikë, objektiva interpretimi me cilësi e mjeshtëri sa më të lartë të këngëve të traditës popullore, ashtu si edhe zbulimi i zërave të rinj, që do të mund të bëheshin pjesë e botës artistike në të ardhmën.
Unë uroj që këta objektiva të realizohen sa më mirë. Uroj që të fitojnë këngëtaret më të merituara. Uroj gjithashtu që kënga të jetë sa më e pranishme në shtëpitë tuaja në këtë ditë kuq e zi për kombin shqiptar”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Festivali “Kosovarja Këndon” është gjurmë e mirë në kohë, është vlerë e traditës mbi 40 vjeçare, por është vlerë edhe e brezit të sotëm.
Albulena Misini nga Vitia me këngën “Po ti çka i ke thanë dikujt” është shpallur fituese e edicionit të 43 -të të Festivali "Kosovarja këndon", i cili tradicionalisht mbahet në Ferizaj dhe synon që të promovoj këngëtare të reja të muzikës popullore.