
Autoritete nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë të Ferizajt, kanë thënë se kompanitë e angazhuara nga komuna janë duke punuar pandërprerë në mirëmbajtjen e rrugëve dhe se aktualisht të gjitha rrugët e komunës janë kalueshme. Zyrtari i Drejtorisë për Shërbime Publike, Vehbi Kërçeli, tha se ekipet mobile të këtyre kompanive janë duke u përkujdesur për mbajtjen e gjendjes nën kontroll.
" Gjatë tërë kohës ekipet janë duke u përkujdesur që rrugët të jenë të kalueshme. Gjatë orëve të paraditës është intervenuar në largimin e borës dhe hedhjen e kripës. Aktualisht të gjitha rrugët e qytetit dhe të fshatrave janë të kalueshme dhe se në të gjitha rrugët është intervenuar. Informacionet flasin se edhe rrugët e dy fshatrave malore të Jezercit dhe Burrnikut, janë të kalueshme por me vështirësi. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë kërkesë të veçantë për intervenim", ka thënë Kërçeli.
Për më tepër bëhet e ditur se edhe gjatë orëve të pasdites do të intervenohet me hudhjen e kripës dhe largimin e borës me qëllim që edhe gjatë orëve të natës të mos ketë vështirësi në qarkullim.
Ndryshe, komuna e Ferizajt ka angazhuar tri kompani për mirëmbajtjen e rrugëve, kompaninë "Pastërtia" për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit dhe dy kompani të tjera, "Mbrojtja e Ambientit" dhe "Real kompani-Hajrushi Shpk", për mirëmbajtjen e rrugëve të pjesë lindore dhe perëndimore të komunës.
Tri kompani për pastrimin e borës të angazhuara nga komuna e Ferizajt, po punojnë intensivisht në mirëmbajtjen e rrugëve të komunës.