
Zëvendëskoordinatorja e qendrës, Minavere Fejzullahu, i njohu vizitorët me funksionimin e qendrës, duke theksuar se 260 fëmijët e komunitetit ashkanli, po e rrisin shkallën e edukimit, duke plotësuar mangësitë dhe njohuritë që marrin në shkollë, përmes punës shtesë në dijet e përgjithshme, detyrat e shtëpisë, por edhe në mësimin e kompjuterit, gjuhës angleze dhe aktiviteteve kulturore e sportive.
Para vizitorëve, nxënësit e Dubravës shfaqën disa pika muzikore e vallëzimi ritmik.
Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, theksoi se komuniteti ashkanli dhe qendra e Dubravës e kanë mbështetjen e plotë për zhvillimin e veprimtarisë edukative-shëndetësore. Ai vuri në dukje se Komuna do të mundësojë që fëmijët e këtushëm të pajisen me mbathje të veçanta; me mbështetjen e BE-së do të rregullohen varrezat e Dubravës, ndërsa familjet skamnore po ndihmohen me ndërtimin e shtëpive.
Zyrtari i Karitasit të Kosovës, Pal Baftijaj, bëri të ditur se Qendra sociale-edukative e Dubravës, në Raportin e progresit për Kosovën dy herë është marrë si shembull i integrimit të suksesshëm të minoriteteve. Baftijaj tha se kjo qendër nuk do të mund të funksiononte pa mbështetjen e pakursyer të Komunës dhe kryetarit Svarqa.
Ndërsa Zv.ministrja Shabani dhe deputeti Arifi, thanë se në gjithë Kosovën nuk kanë parë shembull më të mirë të angazhimit të Komunës për mirëqenien e komuniteteve pakicë.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elfete Shabani dhe deputeti Hetem Arifi, të dy të komunitetit ashkanli, u befasuan sot këndshëm me funksionimin e Qendrës sociale-kulturore të Dubravës dhe me investimet që janë bërë në këtë fshat, të banuar me ashkanlinj.