Hapjen e kësaj akademi e bëri kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Faruk Guri i cili ka vlerësuar tejet lart këtë përvjetorë.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me këtë rast ka thënë se sot është një ditë e madhe kremte, ndër më të mëdhatë në kalendarin e historisë më të re të Kosovës, ditë kur para tetë vitesh, u kurorëzuan synimet më të ligjshme e më fisnike, sakrificat e panumërta, ëndrrat qindravjeçare të brezave të tërë për liri e pavarësi.
“Ne jemi me shumë fat, sepse i takojmë brezit që e përjeton lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, prandaj do të duhej të jemi të lumtur që i takojmë një kohe, kur ferizajasit dhe kosovarët janë të lirë ta ndërtojnë jetën e vet sipas vullnetit, mundësive dhe aftësive të tyre. Sot është dita më e përshtatshme për të kujtuar flijimet e pafund të ferizajasve e të kosovarëve përgjatë shekujve e dekadave, në themelet e lirisë e të shtetit, për ta të munguar. Është dita të përkulemi me nderimin më të thellë para veprës së atyre burrave e grave, që e vunë shëndetin, pasurinë dhe jetën e vet, për të vendosur një gur në themelet e ngrehinës së shtetit e të lirisë kombëtare. Është dita kur nga thellësia e zemrës duhet të falënderojmë të gjitha ato forca përparimtare, të gjitha ato vende të botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u rreshtuan për të mbrojtur popullin tonë nga shfarosja dhe ndërmorën veprimin e rrallë në historinë e re, për të ndalur dorën vrastare të agresorit”, ka thënë kryetari Svarqa, ndërkaq se kjo është një ditë shumë e madhe dhe duhet te meditohet edhe më shumë për këtë tete vite të shtetndërtimit.
“Por, sot është dita më e veçantë, kur duhet të meditojmë për këto tetë vite të shtetndërtimit tonë, të rrugëtimit që kemi bërë së bashku për të arritur këtu ku jemi, me këtë qeverisje, ekonomi, shëndetësi, arsim, kulturë e sport që kemi. Ku kemi qenë e ku jemi sot dhe si jemi aktualisht në këto fusha. Çfarë ka ndryshuar në jetët tona gjatë këtyre tetë viteve të Kosovës shtet. A janë përmbushur ëndrrat tona të dikurshme për një jetë të lirë, pa dhunë e persekutime, për një jetë me shpresa e mundësi për të përparuar e zhvilluar veten dhe vendin tonë.
Secili prej nesh e ka përgjigjen e vet në këto pyetje. Por besoj se të gjithë pajtohemi se sot jemi më mirë se dje. Jemi të lirë të bëjmë biznes; jemi të lirë t’i bëjmë më të mira shkollat, spitalet, çerdhet e fëmijëve, rrugët, palestrat;jemi të lirë t’i ndërtojmë dhe t’i shpalosim vizionet tona për ndërtimin e jetesës më të mirë, t’i përgatisim më mirë fëmijët dhe të rinjtë tanë për jetën që i pret. Është koha kur ky popull së bashku me institucionet e tij, e ka shansin e madh, një shans që nuk e kanë pasur asnjëherë brezat e mëparshëm, që lirshëm të tregojë potencialet e veta krijuese në shërbim të vetes dhe të shoqërisë.
Nuk është mirë të ndërtojmë vetëdijen se neve vazhdimisht duhet të na ndihmojnë të tjerët për ta qeverisur vendin tonë, se duhet që me anë të ndihmave të të tjerëve, ta krijojmë mirëqenien tonë. Është koha kur duhet të vejmë në punë të gjitha mundësitë tona intelektuale e krijuese, për t’i ndërtuar një të ardhme vetes dhe shoqërisë, për t’u krijuar të ardhme fëmijëve tanë, duke i përgatitur për jetë, përmes një edukimi të mirë e të përparuar”tha Svarqa.
Kryetari Svarqa më tej ka shtuar se në këtë ditë kremte, që përmbledh sakrificën qindravjeçare për liri e pavarësi, një pjesë e qytetarëve tanë janë ftuar nga disa parti politike për të protestuar.
“. Një rast shumë i rrallë ky që Dita e Pavarësisë, të shënohet me protesta. Unë besoj thellësisht që ky veprim, bëhet për llogari të thjeshta të interesave politike, për lakminë e atyre që janë të gatshëm të shterojnë jo vetëm energjitë e tyre dhe të popullatës, por të flijojnë edhe kremten e pavarësisë, për të ardhur në pushtet me çdo mjet e me çdo kusht. Lakmia e tyre e egër, tashmë është dëshmuar se nuk ka ndërmend të kursejë jo vetëm bllokimin, por as djegien e institucioneve më të larta shtetërore, për interesa të ngushta, sado që të ambalazhuara si përpjekje për gjoja mbrojtjen e Republikës, nga ata që nuk e kanë njohur, nuk e kanë pranuar dhe nuk e pranojnë as sot këtë Republikë që e kemi. Është koha kur duhet të respektojmë bindjet e secilit, por edhe ta themi hapur, kur mendojmë se dikush po i bën dëm vendit dhe ecjes sonë përpara, me lakminë e pangopur për pushtet”, është shprehur kryetari Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se viti që e kemi përpara, pritet të jetë një vit i pasur me investime që do ta ngrisin shkallën e mirëqenies sonë të përgjithshme.
“Përveç investimeve të planifikuara buxhetore, në shumë mbi 7 milionë e 350 mijë euro, ka zotime nga Qeveria e Kosovës, nga huadhënësit dhe donatorët, se në komunën e Ferizajt do të ketë investime të rëndësishme infrastrukturore, për ndërtimin e rrugëve, hekurudhës, trajtimit të mbeturinave, trajtimit të ujërave të zeza, spitalit dhe objekteve me interes publik. Këto investime, pa dyshim që do të hapin edhe vende pune për të rinjtë ferizajas.
Unë jam i vetëdijshëm se trendet zhvillimore, nuk janë ato që i kemi pritur para çlirimit të vendit tonë; nuk janë në përputhje me ëndrrat tona të dikurshme. Por jam i bindur se po ecim përpara dhe se do të ecim edhe më mirë, duke arritur suksese të reja, duke ndërtuar infrastrukturë përherë e më cilësore, më shumë objekte të intersit publik, shkolla dhe institucione më të mira shëndetësore.
Por, mbi të gjitha, ne duhet të kemi më shumë besim te vetja jonë, tek vlerat tona, tek përpjekjet e përbashkëta për një shkallë më të lartë të mirëqenies sonë shoqërore e ekonomike. Jam i bindur se mund të bëjmë shumë më tepër po të jemi të bashkuar, por të investojmë mund, dije e drejtësi në të ardhmen tonë më të mirë. Ne jemi një vend i vogël, që mund të bëhet i mirë për të jetuar, vetëm me njerëz të bashkuar rreth ideve të përparimit, me njerëz të vyeshëm, dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme, pavarësisht ngjyrimeve politike. Shembëlltyra të sakrificës për të mirën e përgjithshme, kemi sa të duash në të kaluarën tonë të afërt e të largët.
Prandaj, ju ftoj që ta kremtoni me familjet dhe të dashurit tuaj këtë përvjetor të tetë të Pavarësisë së vendit tonë, duke kujtuar të gjithë ata burra e ato gra, që e vunë jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre në themelet e kësaj lirie e pavarësie”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Të pranishmit në kë të akademi solemne i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatave të Dala nga Lufta e UCK-se Gafurr Bytyqi.
Pas kësaj akademi solemne janë bë rë edhe homazhe tek shtatoret e dëshmorëve të komunës së Ferizajt si dhe homazhe tek varrezat e dëshmorë ve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë s.
Më pas në teatrin e qytetit është mbajtur edhe një koncert festiv kushtuar tete vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë akademi solemne morën pjesë drejtues të qeverisë lokale të Ferizajt, deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, zv.ministra ne Qeverinë e Republikës së Kosovës, drejtues të shoqatave të dala të luftës, mysafirë nga Fieri i Shqipërisë si dhe shumë mysafirë të tjerë.