Pas takimit, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, u tha medieve se ishte pajtim i plotë që edhe Shtërpca, ashtu si edhe Kaçaniku e Hani i Elezit më parë, të integrohet në kompaninë e ujit dhe kanalizimit “Bifurkacioni”, në mënyrë që t’u hapet rruga investimeve nga donatorët, në të gjitha këto komuna, për sigurimin e kapaciteteve të reja ujore dhe për përmirëzimin e kapaciteteve aktuale të ujit.
Kryetari i Ferizajt tha më tej se në takim u konfirmua rifillimi i investimeve brenda dy muajsh për funksionalizimin e burimeve të ujit për Gremen dhe Rakajt, u kërkua që të fillojnë investimet për zgjidhjen e ujit të pijes për Fshatin e Vjetër dhe për Bibajt, për ç’gjë ekziston gatishmëria. Ai theksoi se u konfirmua edhe vazhdimi i projektit për impiantin e ujërave të zeza në Komogllavë etj.
Kryetari Svarqa tha se viti 2017 pritet të jetë viti i përfshirjes së të gjitha vendbanimeve të komunës së Ferizajt me ujsjellës, përfshirë edhe Sojevën, Dardaninë dhe Zllatarin.
Këshilli ndërministror për ujëra, udhëheqës të Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit, përfaqësues të Zyrës rregullatore për ujëra e kanalizim, përfaqësues të KRU “Bifurkacioni” në Ferizaj dhe të organizatës CDI, mbajtën sot në Ferizaj një takim të përbashkët, për të diskutuar integrimin e komunës së Shtërpcës në KRU “Bifurkacioni”.