Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, i njoftoi drejtorët e ekzekutivit për rrëshqitjen e dheut te fabrika e ujit në Pleshinë, e cila rrezikon rezervuaret e ujit dhe fabrikën, si pasojë e mihjeve që ka bërë një banor në afërsi dhe si pasojë e reshjeve. Kryetari Svarqa tha se disa kompani janë angazhuar për të vendosur një mur mbrojtës për të penguar shembjen e mëtejme të dheut, por se toka ende po lëviz ngadalë dhe paraqet rrezik për fabrikën e ujit. Ai theksoi se Komuna nuk ka qenë në dijeni për mihjet në afërsi dhe se që nesër gjeodetët do ta konstatojnë nëse prona ku është mihur, është private, apo e kompanisë “Bifurkacioni”. Svarqa tha se do të ndërmerren të gjitha masat ligjore ndaj atyre që rrezikojnë objekte me rëndësi publike dhe të interesit të përgjithshëm.
Më tej ekzekutivi i Ferizajt konstatoi se për shkak të reshjeve të vazhdueshme, ka nevojë që komisioni i emergjencave të qëndrojë në gjendje gatishmërie në vazhdimësi, të kontaktohen udhëheqjet e fshatrave e vendbanimeve, të ofrohet çfarëdo ndihme për të cilën ka nevojë, të sigurohet hapësirë për evakuime eventuale, të sigurohen kontigjente me ujë e ushqime dhe të vlerësohen dëmet eventuale.
Ekzekutivi i Ferizajt ka ftuar në takim përfaqësuesit e policisë, të FSK-së, zjarrfikësve dhe emergjencën e spitalit, për të shqyrtuar gatishmërinë e ndërhyrjeve në rast përmbytjesh, për të ndihmuar banorët në nevojë. Gjithashtu janë ftuar të gjitha kompanitë ndërtimore që të ofrojnë ndihmën e tyre, në rast nevoje.
Pas njoftimeve për vërshime nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe pas paralajmërimit të Agjencisë së emergjencave për mundësinë e përmbytjeve, për shkak të reshjeve të shiut gjatë ditës, sot pasdite u mblodh ekzekutivi i Ferizajt për ta shqyrtuar gjendjen dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme.