Takimi ishte inicuar nga zyrtarët e Këshillit të Kosovës për Siguri, për të shpalosur aspekte të planit të veprimit i cili del nga Strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. Me këtë rast, zyrtarët Bledar Abazi e Tafil Meha, bënë të ditur se nga një konferencë donatorësh, janë siguruar fonde për projekte që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Ata e njoftuan kryetarin e komunës së Ferizajt se Këshilli i Sigurisë inkurajon organizatat joqeveritare, organizatat e të rinjve dhe drejtorinë e arsimit, që të konkurrojnë me projekte të kësaj natyre.
Kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa i njoftoi përfaqësuesit e Këshillit të Sigurisë me veprimet e pushtetit lokal dhe të parnerëve të sigurisë, lidhur me parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Ai tha se Komuna e Ferizajt ka marrë pjesë në çdo takim ku është diskutuar për masat dhe veprimet rreth parandalimit të ekstremizmit, disa herë ka mbledhur agjencitë e sigurisë, përfshirë KFOR-in, policinë, FSK-në, bashkësitë fetare etj., për të analizuar sigurinë dhe masat e saj, se është duke punuar ngusht me KKSB-në dhe agjencitë e sigurisë për t’i koordinuar masat dhe veprimet e nevojshme parandaluese ndaj veprave që do ta rrezikonin sigurinë.
Edhe drejtori i policisë rajonale, nënkolonel Gazmend Hoxha, paraqiti aktivitetet e policisë që lidhen me parandalimin e ekstremizmit dhe parashtroi planet në këtë drejtim. Ai tha se policia ka organizuar një sërë tubimesh në bashkëpunim me bashkësitë fetare dhe do të organizojë ligjërata nëpër shkollat e mesme, me temën e rreziqeve nga ekstremizmi, radikalizmi dhe terrorizmi.
Zyrtarë nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës, u pritën sot nga kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, në një takim ku morën pjesë edhe përfaqësues të policisë rajonale dhe të drejtorisë së arsimit.